Antony Blinken nesër në Tiranë, takim me Ramën dhe Begajn

8 months ago 8
20:00 14/02/2024

Tirana po bëhet gati të presë Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili viziton Shqipërinë të Enjten e 15 shkurtit.  Antony Blinken do të parakalojë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili është i veshur me flamuj amerikanë dhe flamuj kuq e zi.

I pari që do t’i urojë mirëseardhjen në tokën shqiptare është ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, i cili do ta presë në Aeroportin “Nënë Tereza”.  Ndërsa ndalesa e parë në kryeqytet do të jetë në ambasadën amerikane në Shqipëri, ku do të ketë një takim me punonjësit e kësaj ambasade për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në axhendën zyrtare të Antony Blinken, parashikohet një takim me presidentin Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë të rinjtë të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.

Pritja në Kryeministri parashikohet në orën 17:00 të pasdites, pasi deri në këtë orë, kreu i qeverisë shqiptare do të jetë në Bruksel.  Së bashku me kryeministrin Rama, Antony Blinken do të ketë një konferencë të përbashkët, ku pritet të përcjellë mesazhet e tij por dhe do të nënshkruajnë një marrëveshje kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj.

Klan News mëson se bëhet fjalë për sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, ku rreth 1 vit më parë sulmuan sistemet e rëndësishme shtetëtore. Nuk përjashtohet një takim informal me kreun e SPAK Altin Dumani, por mbetet ende e pa konfirmuar.

Përfundimi i axhendës së Sekretarit Amerikan të Shtetit pritet të jetë rreth orës 19:00 të pasdites. Fokusi i kësaj vizite do të jetë siguria në rajon, por dhe marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA, të forcuara ndër vite.

Vizita e parë e një Sekretari amerikan Shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër Sekretari amerikan Shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, e cila mbajti edhe një fjalim në parlament.  Në 2012 ishte Hillary Clinton Sekretare Shteteve në një vizitë një ditore në Tiranë. Sekretari tjetër i Shtetit që ka vizituar vendin tonë ishte edhe John Kerry, më 14 shkurt 2016.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article