Frikë për përshkallëzim/ “Vuçiq dëshiron të shmangë këtë veprim të BE-së”, eksperti amerikan, Kurtit: Vendosja barrën mbi supe...

2 hours ago 20

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka komentuar lëvizjen e fundit të ushtrisë serbe, 50 metra larg kufirit me Kosovën, rreth një javë më parë.

Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka disa aryse se pse po i bën këto diskolime të ushtrisë, si ajo e të shtunës së kaluar rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën në komunën e Kamenicës.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Vuçiq po paraqet një qëndrim të fortë kundër Kosovës, duke qetësuar ndjenjat nacionaliste serbe.

“Ka disa arsye pse Vuçiq është i përfshirë në diplomaci shtrënguese.

Vuçiq shpesh i përdor këto dislokime si një shfaqje force për të qetësuar ndjenjat nacionaliste brenda Serbisë dhe për të ruajtur mbështetjen politike. Duke paraqitur një qëndrim të fortë kundër Kosovës, ai u bën thirrje atyre që ende e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Ai pretendon se këto dislokime janë masa mbrojtëse në përgjigje të asaj që ata e shohin si kërcënim për serbët etnikë që jetojnë në Kosovë. Për më tepër, Vuçiq përdor lëvizjet e trupave si një formë presioni në negociatat që përfshijnë BE-në për të pohuar pozicionin e Serbisë dhe për të ndikuar në diskutimet diplomatike”, është shprehur eksperti për Ballkanin.

Sipas Ben-Meir, këto lëvizje të ushtrisë serbe nuk janë kërcënim serioz për Kosovën, megjithëse të njëjtat, mund të destabilizojnë rajonin përmes një konflikti të mundshëm.

“Është e panevojshme të thuhet se dislokimet e trupave paraqesin kërcënim potencial, por jo serioz për Kosovën. Prania e forcave serbe pranë kufirit krijon një atmosferë të tensionuar dhe mund të destabilizojë rajonin. Ajo gjithashtu ngre frikën e konfliktit të mundshëm dhe prish ekuilibrin delikat të sigurisë pasi dislokimet shërbejnë si frikësim, duke ndikuar potencialisht në politikat dhe vendimmarrjen e Kosovës. Ajo krijon një atmosferë pasigurie dhe frike në mesin e popullatës së Kosovës dhe rrezikon që grumbullime të tilla ushtarake mund të çojnë në përshkallëzim ose konflikt të paqëllimshëm”, ka theksuar profesori për “Bota sot”.

Ai ka analizuar se pse Serbia nuk mund të përdor forcën kundër Kosovës, duke theksuar se një gjë e tillë, do të shkaktonte reagimin e Bashkimit Evropian.

“Në të kaluarën, SHBA e ka përshkruar lëvizjen e trupave serbe si një "zhvillim shumë destabilizues" dhe ka bërë thirrje për tërheqjen e këtyre forcave. Ministri i Jashtëm i Kosovës ka tërhequr paralele mes sjelljes së Serbisë dhe veprimeve të Rusisë përpara se të pushtonte Ukrainën, duke theksuar kërcënimin e perceptuar për integritetin territorial të Kosovës.

Thënë kështu, unë pohoj se Serbia nuk do të përdorë forcën kundër Kosovës tani dhe jo në të ardhmen e parashikueshme. Vuçiq e di se nëse do të shpërthejë ndonjë konflikt i dhunshëm, BE-ja nuk do të qëndrojë duarkryq dhe do t'i vijë në ndihmë Kosovës, të cilën Vuçiq dëshiron ta shmangë”, ka pohuar eksperti.

Ai ka këshilluar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe barrën e përgjegjësisë t’ia lë mbi supe Vuçiqit.

“Dislokimet e përsëritura dhe retorika shoqëruese vazhdojnë të krijojnë tension dhe shqetësim për Kosovën.

Kjo është arsyeja pse dialogu Serbi-Kosovë i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të vazhdojë pavarësisht se sa i ngadalshëm mund të jetë progresi. Sipas mendimit tim, kryeministri Kurti duhet të tregojë gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të negociuar me zell për të siguruar mbështetjen e BE-së, duke vendosur kështu barrën e çdo mungese progresi mbi supet e Vuçiqit”, ka shtuar Alon Ben-Meir për “Bota sot”.

Kryeministri Kurti, njoftoi se Serbia ka provokuar sërish të shtunën e kaluar, duke i lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën në komunën e Kamenicës.

Kurti ka thënë se institucionet përkatëse të sigurisë së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat sipas tij, kanë për synim nxitjen e tensioneve.

“Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Read Entire Article