Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, në emisionin “Open” në News24 tha se me numrin e votave, nisur nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, kjo forcë politike merr 1 mandat deputeti në Tiranë.
Por Qori tha se referuar organizimit dhe numrit të anëtarëve dhe aktivistëve, në zgjedhjet parlamentare do të kemi disa fish më shumë vota se ai i arritur në 2023.
“Pëlqyeshmëria imë në të gjithë vendin është mbi 20 %, kjo s’do të thotë që unë do marr 20 % të votave.
Kemi nisur fushatën për pagat dhe pensionet, ndërkohë që kanë nisur të gjithë të flasin pas nesh për pagat e pensionet.
Kemi depozituar në Kuvend një projektligj për minimumin jetik, pavarësisht se ai ka mbetur në sirtarët e parlamentit, duke mos u shqyrtuar”, tha Qori.
I pyetur se edhe më parë ka pasur individë apo parti që kanë tentuar të çajnë sistemin elektoral, por nuk ia kanë dalë, Qorri tha se ai nuk është njëlloj me ata që kanë tentuar ta bëjnë këtë.
“Unë kam hyrë në politikë si një njeri i thjeshtë, kam një pagë si pedagog, por nuk marr rrogë si kryetar partie. Unë nuk kam zyrë, ndërkohë që ata që kanë hyrë në këtë rrugë më parë ose ishin ministra, ose drejtorë, ose biznesmenë”, tha ai.
Qori tha se në 2025 synojmë të kemi një masë kritike shoqërore që zgjedh një numër të konsiderueshëm deputetësh, që më pas shërbejnë si leva për ndryshimin.
“Ne jemi të vetmit kundër tentakulave të krimit të organizuar dhe oligarkisë ekonomike”, tha Qori.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb