Arrest shtëpie për Berishën/ Rama: Nuk e shoh si fitore të PS-së. Nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri derisa të gjykohet 21 Janari

9 months ago 27
13:07 30/12/2023

“Kurrë nuk është fitorja e një parti arrestimi i dikujt të cilësdo parti”, kështu i është përgjigjur kryeministri Rama pyetjes lidhur me masën “arrest në shtëpi me mbikëqyrje policore”, caktuar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Edi Rama: Kurrë nuk është fitorja e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kjo është në parim. Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar para vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët në një mënyrë apo një tjetër. Nuk e shoh si një fitore të PS-së apo edhe si një fitore të Erionit apo Taulantit që kanë bërë një pasion që uroj ta kishin të gjithë në detyrën e tyre. Kjo është diçka që nuk ka lidhje fare me dëshirën, objektivin, nevojën për të parë si fitore faktin që cilidoqoftë vihet nën trysninë dhe pastaj nën masat e drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, kryeministri Rama ka deklaruar se kurrë nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri pa u gjykuar 21 Janari dhe urdhëruesit e vrasjeve.

Edi Rama: Ashtu sikundër dhe nuk rri dot pa e thënë, nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri deri të gjykohet 21 Janari. Pa u gjykuar 21 Janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësist dhe urdhëruesit e tyre që janë vrasësit e 21 Janarit, drejtësia do të jetë e gjymtuar dhe e pamjaftueshme. Gjykimi i 21 Janarit do të vendosë një gur të palëvizshëm për deri ku mund të shkojë apo ku nuk mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article