SPAK ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Rexhep Rrapit në Durrës.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka kyer hetime në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit.
Lexo edhe :
Related Posts
Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit Rexhep Rrapi, Dejvi Gjermeni dhe Algert Rapi në bashkëpunim me shtetasin Dedan Gjoni, (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku, ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës.
Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim Rexhep Rrapi, Dejvi Gjermeni, Dedan Gjoni (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe Algert Rapi.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.138 me datë 20.12.2023 ka vendosur:
Caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj të hetuarve Rexhep Rrapi, Dejvi Gjermeni, Dedan Gjoni dhe Algert Rapi, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ditën e sotme, 22 dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest ne burg”, për të hetuarit Rexhep Rrapi, Algert Rapi dhe Dedan Gjoni
Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim Dejvi Gjermeni.
Arrestimi i Gjermenit u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.
Kush do vritej
Shënjestra e atentatit ishte Xhevdet Plaku. Kep Arapi ka dalë në Sky Ecc në biseda me ish-shefin e komisariatit të Shijakut, Dedan Gjoni, aktualisht i arrestuar për një tjetër vepër penale.
Dedan Gjoni ishte përfshirë në grup kriminal në tentativë për të vrarë një person, i cili ishte në përplasje të forta me Kep Arapin, gjithashtu i përfshirë në veprimtari kriminale. Pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal, i kanë kërkuar Dedan Gjonit që të nxirrte në pritë Plakun për ta vrarë.
Në kohën kur drejtonte Komisariatin e Shijakut, Gjoni ka thirrut Plakin në komisariat për ta marrë në pyetje.
Më pas Gjoni ka lajmëruar anëtarët e grupit kriminal duke u nisur foto dhe orarin dhe në këtë mënyrë ka nxjerrë në pritë shënjestrën, i cili fatmirësisht ka arritur t’i mbijetonte atentatit.
Rezulton po ashtu se urdhri për të kryer këtë krim të rëndë është dhënë nga Holanda dhe dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës.
Kush është Xhevdet Plaku
Më 24 nëntor 2018, Xhevdet Plaku u arrestua nga policia holandeze.
Ai njihej me nofkën “Akili” dhe përdorte 25 identitete të ndryshme gjatë kohës kur udhëtonte nga Amsterdami.
“Akili” njihej si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte nga Amsterdami dhe pakove iu vinte emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda. Zakonisht emra të markave të shtrenjtave të drogës duke nënkuptuar cilësinë e lartë të saj.
“Hermes” ishte kokaina më e pastër e më pas vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’. Përveç shqiptarit, në pranga asokohe ranë edhe 56 persona të tjerë, anëtarë të tre bandave të tjera por që ishin të lidhura së bashku dhe që shef kishin Xhevdet Plakun.
Plaku dyshohet se është autori i vrasjes së bashkëkombësit Saimir Sina më 11 qershor të vitit 2004. Atë kohë prita u cilësua si një larje hesapesh mes bandave shqiptare për kontrollin e prostitutave që punonin përgjatë zonës së Aurelitës.
Pas proceseve gjyqësore, më 22 shkurt 2013 Plaku u lirua për mungesë provash. Pas një dyshimi se Plaku ndodhej në Holandë, Gjykata e Savonës lëshoi një urdhërarresti më 22 mars dhe për këtë arsye u krijua një bashkëpunim i ngushtë me Interpol dhe Eurojust (Njësia Evropiane e Bashkëpunimit Gjyqësor).
Më 15 prill, policia italiane njoftoi atë holandeze për vendndodhjen e Plakut dhe pas një prite të ngritur në aeroport arritën që ta kapin shqiptarin. Plaku përveç dënimit në Itali, do të duhet të kryejë 22 vjet burg për vrasje edhe në Shqipëri.
Kush është Rexhep Rrapi?
Rrapi është arrestuar nga policia e Rinasit më 31 mars 2023.,
60-vjeçari është i dënuar me 7 vjet burg për organizimin e emigracionit të paligjshëm.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në dalje të RSH-së, kanë kapur Rexhep Rapi (Arapi), 60 vjeç, banues në Durrës, i cili pas verifikimit nga Interpol Tirana ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Genova, Itali, e ka dënuar 7 vjet burgim, për veprën penale “Organizimi i emigracionit të paligjshëm”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë”, thuhej në njoftimin e policisë më 31 mars.
Rapi ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2021 në Durrës pasi i gjetën armë në lokalin e tij.
Ai lëvizte me mjet të blinduar ‘’Benz’’ i cili u sekuestrua bashkë me një pistoletë që iu gjet në një çantë në banakun e lokalit. Rapi është me precedentë të mëparshëm kriminal kundër jetës së personit dhe në fushën e narkotikëve./vizionplus.tv