Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka hedhur poshtë zërat se grupimi që ai drejton do të jetë fraksion i Berishës. Në podkastin e rrradhës, Basha u shpreh se asgjë nuk ka ndryshuar nga vendimi i 9 shtatorit dhe se rrugët me Berishën janë ndarë një herë e mirë.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:
Nuk jemi fraksion i Berishës, madje as nuk e pranojmë Berishën për fraksion. Rrugët tona janë ndarë një herë e mirë. Asgjë s’ka ndryshuar, që nga 9 shtatori asgjë s’ka ndryshuar. Përkundrazi, pozitat e tij në raport me faktorin euroatlantikë janë përkeqësuar në çdo aspekt. Asgjë nuk ka ndryshuar në aftësinë e tij për të sjellë demokratët në pushtet, përkundrazi është provuar që premtimet bombastike me të cilat ju përvesh Partisë Demokratike dhe opozitës për ta marrë si plaçkë, si mburojë për veten e vetë ishin të rreme. Rezultati më i dobët elektoral jo thjesht i Partisë Demokratike, por dhe i ndonjë partie të madhe në 34 vite. Dhe gjithmonë e më shumë bjerret. Nuk ka njeri ta besojë e ta pranojë se zgjidhja për Partinë Demokratike, për ardhjen e saj në pushtet është Sali Berisha, as ai vet.
Pyetje: Kjo i rrëzon edhe pretendimet që ngrejnë një pjesë të politikanëve aktual që pretendojnë që ju jeni në bashkëpunim me zotin Berisha ose që jeni pjesë e një loje të përbashkët. Kjo është nje pjesë tjetër e akuzave të cilat ne duam që t’i japim një përgjigje dhe këtyre gojëve të liga, po themi në thonjëza që mund të bëjnë gjithashtu, ta përbaltosin misionin.
Lulzim Basha: Ky është një plan i vazhdueshëm për të shmangur debatin e vërtetë. Është një plan propagandistik i dyshes, sepse njëherë njëri thotë është me Ramën, tjetri thotë është me Berishën. Në fakt, e vërteta është që s’jemi as me njërën as me tjetrën. Por jemi përfundimisht dhe qartësisht përballë edhe njërit edhe tjetrit. Sigurisht përballë Edi Ramës, i cili sot kryeson qeverinë më të korruptuar në Europë dhe më të korruptuar e tranzicionit shqiptarë dhe natyrisht përballë Sali Berishës i cili me vullnetë të plotë dhe me vetëdije të plotë është kthyer në asetin e vetëm elektoral të Edi Ramës dhe në këtë mënyrë kanë krijuar një bashkëpunim për interesat e tyre kundër interesave të shqiptarëve. Kundër kësaj skeme, kundër këtij komploti ndaj shqiptarëve qëndroj unë me gjithë fuqinë dhe forcën e mendjes, shpirtit dhe angazhimit tim politik. Dhe të gjithë ata të cilëve ju kam besuar dhe më besojnë në këtë udhëtim të përbashkët. Jo thjesht për fatin tonë politikë, po për fatin e të nesërmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithçka tjetër është përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga kjo e vërtetë dhe me dashje apo padashje është shërbim i pastër ndaj Edi Ramës dhe ndaj Sali Berishës.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb