“Asociacioni në këmbim të anëtarësimit në NATO” - Komentohet propozimi i Haradinajt dhe jepen disa sugjerime për Qeverinë

2 hours ago 25

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpalosur një ide në opinion në raport me themelimin e Asociacionit.

Ai ka thënë se Kosova duhet të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si kundërvlerë për procedimin me Asociacionin, garanci për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit në NATO.

Ai kështu u deklarua në një intervistë për Zërin e Amerikës.

 “Po duhet, por Asociacioni është diskutuar gjatë dhe dikur ka qenë kundërvlerë e njohjes nga Serbia, pra kundërvlerë, Kosova procedon me Asociacionin, Serbia e njeh Kosovën. Tani kemi një situatë jo të lehtë për Kosovën për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet që ka ra dakord ashtu siç ka kërkuar qeveria e Kosovës dhe kryetari i qeverisë.

Por edhe pse është kështu kjo situatë, unë do të kisha vepruar si vijon; kisha kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërvlerën e veprimit me Asociacionin me anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Pra procesin deri në NATO edhe si mundësi, sepse askush nuk mund ta garantojë që në një periudhë kohore të tillë deri kur do të ndodhë kjo për shkak të katërshes jonjohëse. Unë do të kisha vepruar në kontratë bilaterale me SHBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n”, ishte përgjigja e tij.

Më 21 tetor, u bë një vit prej se përfaqësuesit e Pesëshes së Madhe - Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia - ia prezantuan Kosovës dhe Serbisë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili duhet ta zgjidhë çështjen e pozitës së komunitetit serb në Kosovë dhe t’i mbrojë të drejtat e tyre.

Ky  “model modern” për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, në parim u pranua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, kryeministri Kurti refuzoi ta bënte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit, përkatësisht ta dërgonte draft-statutin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse bashkësia ndërkombëtare po ia kërkon vazhdimisht.

Pantina: Asociacioni është obligim ndërkombëtar i shtetit të Kosovës

Image

Shqipe Pantina

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike, Shqipe Pantina, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës, kurse për kushtëzimin, ajo thotë se është e vështirë të besohet sepse ka kritere që duhet plotësuar.

“Asociacioni është obligim ndërkombëtar i shtetit të Kosovës për të cilën qeveria është zotuar se do e zbatoj prandaj ajo mund të zvarrisë themelimin por nuk i shmanget dot.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO me procedura të përshpejtuara është e vështirë të besohet se mund të ndodhë ngase janë kritere që duhet plotësuar fillimisht”, deklaron ajo.

Rugova: Të gjitha do të zbatohen

Image

Naser Rugova

Njohësi i politikës, Naser Rugova, thotë se marrëveshjet do të zbatohen nga të djyat palët sepse janë obligative.

Derisa për kushtëzim, Rugova shprehet se nëse qeveria dërgon asociacionin në kushtetuese, kjo do të duhej të shfrytëzohej pse jo për përshpejtimin dhe hapjen e rrugëve më të shkurtra për anëtarësim në NATO.

“Së pari Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë obligative për palët dhe këtu nuk ka kompromis për asnjë pikë të marrëveshjes. Të gjitha do të zbatohen. Kjo marrëveshje tani ka hyrë në kushtet obligative që BE ju ka vënë dy vendeve për procesin e integrimit në BE, kjo u dëshmua së fundmi edhe me kushtëzimin për fondet e Planit të Rritjes, u tha qartë, pa zbatim të marrëveshjes nuk ka fonde.

Unë kam deklaruar edhe më herët se qeveria ka marrë obligim dhe duhet ta dërgoj draft statutin e AKS në kushtetuese, sigurisht që këtë veprim do duhej ta shfrytëzonte e pse jo edhe me përshpejtimin dhe hapjen e rrugëve më të shkurtra për anëtarësim në NATO”, përmbylli ai për “Bota sot”.

Read Entire Article