Atentati, arrestohet Valter Bami/ Dyshohet se ekzekutoi Ramazan Sinon dhe plagosi dy të mitur

1 year ago 328

Valter Bami, i arrestuar mbrëmjen e të enjtes nga policia, ka mohuar përfshirjen e tij në atentatin e 4 korrikut, ku u ekzekutua 29-vjeçari Ramazan Sino dhe mbetën të plagosur nipërit e tij, 10 dhe 13 vjeç.

Gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai ishte në shtëpinë e tij. Mirëpo burime jo zyrtare nga policia bëjnë me dije se, ekziston bindja se 37-vjeçari ka qenë autor i ngjarjes dhe ka qëlluar drejt shtëpisë së Gentjan Bejtjes, objektivit të këtij atentati, pak pas mesnatës së 3 ditëve më parë.

Gjurma vendimtare për nxjerrjen e urdhër arrestit ndaj tij ishte zbulimi i shenjave të barutit në duart e Valter Bamit me mikroskop elektronik. Por akuza ndaj tij për momentin, është ajo e armëmbajtjes pa leje.

Bashkë me Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë, të cilët ndodheshin në shoqërinë e tij, por pasi u morën në pyetje pritet që të lirohen, sepse ndaj tyre nuk janë ngritur akuza. Ndërkohë pas Bamit, Renea dhe FNSH në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, kanë kryer kontrolle të tjera në Nikël dhe Tapizë, të cilat përfunduan me shoqërimin e disa personave.

Në atentatin mafioz ndaj Gentjan Bejtjes, që përfundoi me vdekjen e kunatit dhe plagosjen e djemve të tij të mitur, policia zbuloi 30 gëzhoja, ndërsa 4 plumba u gjetën në trupin e viktimës, Ramazan Sino.

Kjo ishte hera e tretë që Gentjan Bejtja u bë objektiv i një atentati, ku në secilin ka arritur të shpëtojë. I pari ka ndodhur në vitin 2016, kur makinës së tij iu vendos eksploziv, por ai arriti të shpëtonte me disa plagë të lehta, ndërsa i dyti ka qenë në zonën e Niklës në Fushë-Krujë, në vitin 2022.

Vetë Bejtja rezulton person me precedent penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, i arrestuar për një arsenal armësh në shtëpinë e tij e ndërsa dy herë është shoqëruar në polici për dyshime se mund të ketë gisht në dy atentate, atë ndaj Iliaz Çalit dhe sulmin ndaj shtëpisë së Marklen Hakës, personi që u lirua nga policia.

Read Entire Article