Ish-ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe historiani Mal Berisha, i ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 u pyet në lidhje me fitoren e Donald Trump dhe ndikimin e kësaj fitoreje në Shqipëri.
Mal Berisha tha se e vlerëson Donald Trump si një burrë shteti të fortë, duke thënë se amerikanët u zhytën në krizë ekonomike nga administrata e Biden. Më tej, Mal Berisha tha se beson se nën administratën e Trump, gjërat edhe për Shqipërinë do të ndryshojnë.
Mal Berisha: Zgjedhjet në SHBA janë tepër të rëndësishme jo vetëm për Amerikën, por për gjithë botën. E kam pritur me shumë dëshirë ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë. Amerikanët kishin frikë e frustrim nga Biden dhe ata nuk mund të vijonin me një kopje të tij. Më pëlqen një shprehje e Trump, që në jetë duhet sakrificë për të arritur ëndrrën.
Donald Trump është një politikan tepër i fortë që nuk u thye. Trump është kundër emigrimit të paligjshëm. Kjo nuk është tendencë antiemigrim, por Amerika nuk do njerëz të rrezikshëm. SHBA ka qenë dhe është vend mik për Shqipërinë e Kosovën. Sot më vjen keq që ambasada amerikane është bërë e njëanshme. Shpresoj që ambasada amerikane të kthehet në paanshmëri tashmë e tutje. Unë besoj se zgjedhja e Trump do sjellë ndryshime edhe për Shqipërinë.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb