Austria dëbon dy diplomatë rusë, dyshohen për spiunazh

8 months ago 9

Austria ka urdhëruar dy diplomatë të Ambasadës së Rusisë në Vjenë të largohen nga vendi.

Ministria e Jashtme e Austrisë tha në një deklaratë më 13 mars se dy diplomatët ishin “përfshirë në veprime që nuk janë në përputhje me statusin e tyre diplomatik”, dhe si rrjedhojë janë shpallur “persona të padëshiruar”.

Ajo nuk dha hollësi të tjera për diplomatët, apo për veprimet e tyre të dyshuara. Një zyrtar austriak tha për Associated Press, në kushte anonime, se dëbimi i tyre lidhej me veprimtari spiunimi.

Ambasada ruse në Vjenë tha se asaj nuk iu dha asnjë dëshmi që mbështet dëbimin e tyre, duke e quajtur “të pabazë” vendimin e Austrisë.

Vendet e Perëndimit dhe Rusia ia kanë dëbuar diplomatët njëra-tjetrës në disa raste, prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Austria, një anëtare e Bashkimit Evropian që mban qëndrim të neutralitetit ushtarak dhe kryeqyteti i të cilës është qendër e disa agjencive të OKB-së, kishte ngurruar fillimisht për të ndërmarrë veprime të tilla, por së fundmi ka dëbuar më shumë diplomatë rusë.

Në prill 2022, ajo i dëboi katër diplomatë rusë, pas trysnisë publike dhe nga BE-ja, si dhe katër të tjerë në shkurt 2023. Para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo e dëboi një diplomat rus në gusht 2020. /REL

Top Channel

Read Entire Article