Balla: Kemi goditur 47 grupe kriminale. Predhën që vrau Aleks Nikën do e dërgojmë në Itali

9 months ago 11
15:38 04/01/2024

Për afro dy orë, ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri bilancin e dikasterit që drejton përgjatë vitit që lamë pas, ku theksin e vuri tek lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Janë finalizuar 1195 operacione policore, 62 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Janë ndaluar 7845 shtetas, autorë të dyshuar krimesh të ndryshme. Janë goditur 47 grupe kriminale”.

2023-in e cilësoi test për certifikimin e sigurisë publike në vend pas fluksit të më shumë se 10 milionë turistëve që vizituan vendin tonë, teksa tha se Policia e Shtetit po bëhet gati edhe për sezonin e ri.

“Certifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik, me zero ngjarje kriminale të qëllimshme, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar”.

Zbardhjen për zhdukjen e Ervis Martinajt që prej Gushtit të vitit 2022, ministri i Brendshëm e cilësoi sfidë, duke garantuar se Policia e Shtetit disponon informacion për këtë rast.

“Policia ka shumë informacion për këtë çështje, por dokumentimi kërkon ende kohë, mund e angazhim nga policia, unë nuk do jap një informacion sepse janë të klasifikuara sekret”.

E ndërsa për ekspertim do të dërgohet në Itali predha që i mori jetën Aleks Nikës, nga organet e drejtësisë kërkoi hetimin e 21 Janarit pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Strasburgut.

“Prokuroria i ka të gjitha mundësitë të vijojë. Pas dy ditësh, Ministria e Brendshme do nisë në Itali për ekspertim predhën dhe elementë të tjerë”.

Nuk preferon të flasë me emra konkretë të personave që janë në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, por thotë se zbatimit të ligjit nuk mund t’i shpëtojë askush, qoftë ky edhe nga radhët e partisë së tij, sic është edhe ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj.

“Janë në alarm të kuq që ka Interpoli të gjithë personat”.

Si një ndër kallëzuesit në prokurori të dosjes “Partizani”, thotë se çështja është aferë e pastër korrupsioni, në të cilën sipas ministrit të Brendshëm i përfshirë është edhe ish-Kryeministri Berisha. Këtij të fundit i kujtoi se ka thyer vendimin e Gjykatës së Posaçme, duke i sjellë për referencë dispozitën në Kodin Penal që i ndalon atij komunikimin me persona veç atyre që banojnë me të.

“Kodi i Procedurës Penale është i qartë të zbatimit të arrestit në shtëpi, thotë ke të gjitha ndalimet që ke edhe gjatë arrestit me burg. Nuk e kam shkruar unë dhe as zotëria, dhe e kam votuar unë dhe zotëria, dhe këtu është ndarja e dy botëve. Është e papranueshme por besoj se i takon institucioneve të tjera të bëjnë komente mbi këtë dhe jo ministri i Brendshëm.”

Në analizën e gjatë për rendin e sigurinë në vend, ministri i Brendshëm tha se 300 punonjës të Policisë së Shtetit janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu, ndërkohë që të premten përfundon edhe afati për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit të aplikacioneve “Sky ECC” dhe “EncroChat.

Tv Klan


Read Entire Article