Balla: Ligji i ri për Institucionin e Presidentit fati në shtator, dakort dhe Begaj

1 year ago 34
Reklamë

TIRANË, 7 Korrik/ATSH/- Kreu i Grupit Parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bëri të ditur sot se, ligji i ri për Institucionin e Presidentit të Republikës pritet të jetë gati në shtator.

Gjatë një deklarate për mediat nga Fieri, Balla, sqaroi se edhe vetë Presidenti Begaj është shprehur pro për këtë nisëm.

“Unë ju kam thënë, që prej vitit 2020 ne kemi punuar me këtë nisëm. Ekspertët tanë të grupit parlamentarë të Partisë Socialiste, kanë konsultuar ligje të njëjta në vende të tjera. E vërteta është, të gjithë e dimë, se që nga vitit 1998 e deri më sot, Presidenti është i vetmi institucion që nuk ka një ligj. Jam këtu për të folur për Këshillin e qarkut, ka një ligj për vetëqeverisjen vendore, që rregullon qeverisjen vendore, bashkitë, këshillin e qarkut. Ndërkohë i vetmi institucion i parregulluar me një ligj është institucioni i presidentit”,- theksoi Balla.

“Nuk bëhet fjalë për presidentin dhe kompetencat e tij, që rregullohen me Kushtetutë dhe ligje të tjera. Bëhet fjalë për funksionimin e institucionit të Presidentit. Unë mendoj që dhe vetë Presidenti i Republikës, për sa e kam ndjekur unë, z. Begaj, ai presidenti normal i Republikës, e ka mbështetur një gjë të tillë në një prej komunikimeve që ka patur me ju”,- shtoi Balla.

“E ka thënë që, “po është e nevojshme të rregullohet”. Nuk shoh këtu asnjëlloj problematike. Pyetjes suaj se përse tani, më lini t’ju them se nuk është tani. Tani jemi në përfundim të sesionit të rradhës së kësaj legjislature, por kam thënë që në shtator, duhet të finalizojmë një ligj për institucionin e Presidentit. Ku në fakt edhe institucioni i Presidentit e kërkon, pasi mendoj që duhet ti japim një status edhe të gjithë hireakisë institucionale brenda institucionit të Presidentit, duke mos harruar asnjëherë faktin se Presidenti i Republikës është Kryetari i Shtetit. Kjo është e vërteta mbi këtë çështje”,- tha Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Read Entire Article