Bardhi dënon ashpër dhunën ndaj banorëve të Borizanës: Gjunjëzim dhe dështim i shtetit përballë bandave me pushtet politik!

1 year ago 41
Reklamë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se dhuna shtazarake e fisit Rraja ndaj banorëve të Borizanës, tregon gjunjëzimin dhe dështimin e shtetit përballë bandave me pushtet politik.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se institucionet zgjodhën të fshiheshin përballë protestave dhe denoncimeve të opozitës dhe një fshati të tërë. Sipas Bardhit, ngjarja e rendë e Krujës nuk mund të kalohet me përgjegjësi individuale apo familjare, por me përgjegjësi të plotë politike nga i pari i qeverisë, Edi Rama.

Ndërsa vuri në dukje fshehjen dhe manipulimin e ngjarjes nga Policia e Shtetit, të cilëve megjithëse u trokisnin në derë qytetarë të masakruar nga përplasjet me familjarët e deputetit, ata “i lanë të lirë” me justifikimin se “gurorja është me leje”, Bardhi shton se nuk ka se si të ketë siguri në një vend me “oficerë policie në azil”.

“Ngjarja e rëndë e Krujës është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës. Është po aq shokuese sa dhuna shtazarake e fisit Rraja, pafuqia e institucioneve për të vepruar dhe për të zbatuar ligjin.

Ngjarja në Krujë nuk është dështim i një deputeti si prind apo vlla, siç po tentohet të shitet, por gjunjëzim dhe dështim i shtetit përballë bandave me pushtet politik. Për shkak të këtij modeli qeverisës sot kemi disa oficerë policie në azil, që duhej të ishin në punë, për të ofruar rend e siguri për qytetarët, por nuk janë, janë larguar, sepse në përballjen që ata kishin me bandat, qeveria e Edi Ramës zgjodhi ti braktiste ata dhe të mbronte bandat me pushtet politik, siç tentoi të bënte edhe për këtë ngjarje 2 ditë më parë.

Qytetarët protestojnë prej ditësh se një gurore në pronësi të familjes së deputetit po dëmton shtepitë e një fshati të tërë dhe institucionet fshihen, nuk veprojnë. Deputetët e opozitës kanë denoncuar një muaj më parë rastin në Parlament dhe ministrat e Edi Ramës bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Edhe sot nuk ka asnjë veprim nga instituconet përgjegjëse për të ndaluar veprimtarinë e paligjshme të atyre guroreve.

Qytetarët paraqiten të masakruar në Policinë e Shtetit, dhe drejtuesit e policisë jo vetëm nuk veprojnë, por kujdesen të thonë që ka shoqëruar disa familjarë të deputetit por i kanë lënë të lirë sepse gurorja është me leje. Veprimet e Policisë së Shtetit për arrestimin e personave erdhën vetëm pas publikimit të pamjeve shokuese të dhunës ndaj dy qytetarëve të pafajshëm.

Prandaj ngjarja nuk mund të kalohet pa vënë përpara përgjegjësisë edhe zyrtarët përgjegjës që nuk vepruan, institucionet që kanë dhënë lejet e paligjshme, zyrtarët e Policisë së Shtetit që tentuan të fshehin dhe manipulojnë ngjarjen. Ngjarja e rendë e Krujës nuk mund të kalohet me përgjegjësi individuale apo familjare, por me përgjegjësi të plotë politike, duke nisur nga arkitekti i këtij modeli qeverisës Edi Rama që qeverisë sipas parimit “merr dhe mbaj pushtet me krimin, dhe jepi pushtet në qeverisje pa kufi krimit”- shkruan Bardhi.

Top Channel

Read Entire Article