Bardhi: Kallëzojmë Nikollën për shpërdorim detyre

8 months ago 25
16:09 06/02/2024

“Vota për amnistinë penale, kusht normaliteti në Kuvend”

Pas kallëzimit në SPAK të bërë në nëntor të vitit të kaluar nga deputetët demokratë, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla do të përballet me një tjetër padi për shpërdorim detyre. Paralajmërimin e bëri kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili akuzoi Nikollën se pengoi deputetët e opozitës të hynë në seancën plenare të së hënës.

“S’mund të përjashtosh deputetë vetëm se mbajnë pankarta në duar. Dje u penguan të gjithë deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë. Kryetarja e Kuvendit sikur të mos kishte ndodhur asgjë nis seancën me gjysmën e sallës bosh duke marrë edhe autoren e kryerjes së asaj vepre penale. Do kallëzojmë Nikollën për shpërdorim detyre dhe kujtdo tjetër që ka shkelur ligjin duke penguar deputetët e opozitës në Kuvend”, tha Bardhi.

Opozita është e vendosur për të mos rikthyer normalitetin në Kuvend pa u plotësuar më parë kërkesat e saj për ngritjen e komisioneve hetimore dhe të drejtën e anëtarëve në tryezën e Reformës Zgjedhores. Ndaj edhe Amnistia Penale, pavarësisht përfshirjes së propozimeve të demokratëve për zgjerimin e personave përfitues nuk do të marrë votën e opozitës në Kuvend.

“Para se të shkojmë në votimin e ligjeve konsensuale, parlamenti duhet t’i rikthehet normalitetit dhe kjo pengohet nga mazhoranca që nuk vendos të drejtat kushtetuese. E mbështes amnistinë, mirëpo para se të shkojnë në një konsensus duhet t’u kthehemi shinave të kushtetutës”, shtoi Bardhi.

Në kushtet e mosreflektimit nga mazhoranca, Bardhi paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar brenda dhe jashtë Kuvendit.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article