“Basha kërkon amnisti për protestuesit e vet, por jo për ata të 8 Janarit”, Manja: Nuk e duam amnistinë me vota të kushtëzuara

7 months ago 11
11:30 22/02/2024

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se drafti që ka paraqitur mazhoranca për amnistinë penale nuk amniston korrupsionin dhe krimin e organizuar. Manja i ktheu përgjigje në këtë mënyrë Gazment Bardhit (Lexo më shumë) që më herët tha se ky ligj amniston zyrtarët e korruptuar, por edhe Lulzim Bashës, që një ditë më parë u shpreh se kjo ishte arsyeja pse nuk do të merrte pjesë në seancën e sotme parlamentare.

“Këto ditë kam dëgjuar edhe plot gënjeshtarë politikë të cilët mashtrimin e opinionit publik e kanë kthyer art më vete, madje një pjesë e tyre jo vetëm e kanë ves, por e kanë bërë edhe qenie të karakterit të tyre duke mashtruar opinionin publik se me këtë draft amnistie ne duam të amnistojmë zyrtarët e lartë të korruptuar të këtij vendi që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. E kemi bërë të qartë që nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe drafti është në dyert e kësaj salle në dritë të diellit. Tani dhe një nga ato gënjeshtarë që mashtrojnë e kishit pak përpara këtu që tha kjo amnisti synon të lirojë zyrtarët e korruptuar. Pra mazhoranca synon të amnistojë zyrtarët e korruptuar. Nuk ju vë faj, sepse këto ditë janë bërë bashkë këto ditë për të shpalosur alternativën dhe programin dhe më vjen keq se zoti Bardhi është edhe jurist, është bërë bashkë me Flamur Nokën, nga veriu në jug, dhe mos prisni gjë të vërtetë nga ata. Sepse fjala e vërtetë dhe e vërteta tek ky çift ka kohë që ka ikur në drejtim të paditur. Kur gënjen, një herë, dy herë, tre herë, gënjeshtra të kthehet pjesë e karakterit”, tha Manja.


Një përgjigje, Manja e pati sërish për Bashën sa i përket kërkesës për të amnistuar protestuesit (Lexo më shumë). Sipas ministrit, Basha kërkon amnisti vetëm për protestuesit e vet gjatë viteve 2018-2020 dhe jo p. Manja tha se që këtu, opozitarët janë të pandershëm pasi kompromentojnë parimet e amnistisë.

“Jo, Lulzim Basha ka kërkuar amnisti për të gjithë protestuesit 2018-2020, vetëm për ata të vetët. Ka kërkuar amnisti për shkatërrim prone me zjarr, shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës dhe shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse. E ç’lidhje kanë këta me protestën? Pyetja është shumë e thjeshtë, po për ata që protestuan më 8 Janar a do ketë amnisti? Që këtu janë të pandershëm, kompromentojnë parimet e amnistisë. Barazia para ligjit. Nuk mund të ketë amnisti për protestuesit 2018-2020 dhe jo amnisti për ata që kanë protestuar 2020-2024”, u shpreh Manja.

Ndër të tjera ai tha se mazhoranca nuk do një amnisti me vota të kushtëzuara.

“Nuk kërkojmë absolutisht votat e njërit grupim apo grupimit tjetër. Kërkojmë votat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë siç e ka pasur tradita sepse amnistia është akt mëshire i sovranit. Është në nderin e çdo deputeti që pasi të lexojë ligjin brenda atyre parimeve që ka amnistia të japë votën dhe është në nderin e çdo deputeti. Nuk mundet dhe nuk duam një amnisti me vota të kondicionuara”, tha Manja.

Sipas tij, do të ketë mbi 90 deputetë që do të votojnë për këtë projektligj sepse në Kuvend “ka deputetë të përgjegjshëm”. Ai tha se nuk ka bisedime të fshehta për këtë draft dhe se ato “janë në dritë të diellit”./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article