Shqipëria do të shtojë përpjekjet për rritjen e numrit të marrëveshjeve policore me shumë shtete, të cilat sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve, në funksion të kapjes së personave në kërkim. Komisioni për Politikën e Jashtme ka miratuar me votat pro të gjithë anëtarëve, marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë për bashkëpunim policor.
“Dua të ndaj me ju, qasjen tonë për të intensifikuar dhe rritur numrin e marrëveshjeve më shumë vende, të cilat ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve, në funksion të gjetjes së personave në kërkim, nga policia apo drejtësia. Kemi rezultate të mira dhe konkrete sa iu përket numrit të personave të gjetur, të ekstraduar apo deportuar, duke e konsideruar një element thelbësor sa i përket goditjes së pandëshkueshmërisë. Një person në kërkim që i shmanget drejtësisë është një problem i shtuar, sa i përket respektimit dhe sundimit të ligjit. Edhe kjo marrëveshje, apo të ngjashme do të ndihmojnë luftën tonë kundër krimit të të gjitha formave”, tha ministri Balla, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Komision.
Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Moldavisë, për bashkëpunimin policor”:
Synimi është rritja e efikasitetit në luftën kundër krimit, shoqëruar dhe me forcimin e bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta policore me Republikën e Moldavisë, duke patur synim veprat penale që lidhen së pari me krimin ndërkufitar. Moldavia është e pozicionuar gjeografikisht në një korridor të rëndësishëm të komunikimeve dhe të shkëmbimeve ndërkufitare. Fokusi ynë mbeten veprat kundër jetës, shëndetit, integritetit fizik, veprat penale që lidhen me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, e në këtë kontekst do të theksoja dhe nevojën që ka forcimi i bashkëpunimit në një betejë, që kanë agjencitë ligjzbatuese lidhur me drogat sintetike.
Bashkëpunimi me Moldavinë merr një rëndësi në kuadër të parandalimit të trafikimit të këtyre drogave drejt Shqipërisë. Gjithashtu lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në mënyrë të veçantë, pastrimi i parave, vjedhja e trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve luftarake, i substancave radio-aktive, pa harruar pse jo lëndë bërthamore dhe substanca të tjera të rrezikshme.
Ky ka qenë synimi i kësaj marrëveshje, të firmosur në nëntor 2023, në emër të Qeverisë Shqiptare, e po ashtu t’ju informoj se në zbatim të kësaj marrëveshje, Policia Shqiptare dhe ajo e Republikës së Moldavisë do të shkëmbejnë informacione me njëra-tjetrën në funksion të luftës së përbashkët kundër krimit, e me fokus të veçantë krimin e organizuar. Nuk ka kosto financiare shtesë në zbatimin e saj, ato janë të parashikuar në buxhetin e DPPSH. Do të kërkoja mirëkuptimin dhe mbështetjen e gjithë anëtarëve të Komisionit (të Jashtëm) për kalimin për miratim në Kuvend.
Po ashtu dua të ndaj me ju, qasjen tonë për të intensifikuar dhe rritur numrin e marrëveshjeve më shumë vende, të cilat ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve, në funksion të gjetjes së personave në kërkim, nga policia apo drejtësia. Kemi rezultate të mira dhe konkrete sa iu përket numrit të personave të gjetur, të ekstraduar apo deportuar, duke e konsideruar një element thelbësor sa i përket goditjes së pandëshkueshmërisë. Një person në kërkim që i shmanget drejtësisë është një problem i shtuar, sa i përket respektimit dhe sundimit të ligjit. Edhe kjo marrëveshje, apo të ngjashme do të ndihmojnë luftën tonë kundër krimit të të gjitha formave.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb