BE akuzon Rusinë për nxitje të migrantëve drejt kufirit me Finlandën

11 months ago 16

Bashkimi Evropian ka akuzuar Rusinë këtë të premte për përdorim “të turpshëm” të migrantëve, për të rritur presionin te shtetet tjera, duke theksuar se ka vërejtur rritje të numrit të azilkërkuesve pa dokumente që kalojnë kufirin e Rusisë me Finlandën.

Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, ka thënë se Rusia po synon ta destabilizojë shtetin e tij, pas vendimit për t’u anëtarësuar në NATO, më herët gjatë vitit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur me Orpon të enjten, dhe ka thënë se “instrumentalizimi i migrantëve” nga ana e Rusisë, është “diçka e turpshme”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Christian Wigand, ka thënë të premten se Brukseli e ka vërejtur një rritje të azilkërkuesve pa dokumente prej Federatës Ruse në Finlandë.

“Ne jemi duke e ndjekur nga afër situatën. Ne jemi në kontakt me autoritetet finlandeze dhe gardën kufitare finlandeze”, ka thënë ai.

Lidhjet e Helsinkit me Moskën janë përkeqësuar prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Diçka e tillë e ka nxitur Finlandën që ta braktisë qëndrimin neutral dhe t’i bashkohet NATO-s, për ta rritur sigurinë e vendit. Ky shtet nordik ndan kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë. Raportohet se vetëm në shtator në Finlandë kanë shkuar 280 azilkërkues.

Brukseli e ka akuzuar në të kaluarën Bjellorusinë, aleaten e Rusisë, se i ka nxitur mijëra migrantë pa dokumente që ta kalojnë kufirin me Poloninë dhe Lituaninë, si hakmarrje për sanksionet e bllokut evropian.

Polonia e ka akuzuar në gusht Rusinë dhe Bjellorusinë për orkestrim të fluksit të ri të migrimit./REL

Read Entire Article