Begaj: Mirëpresim rritjen e investimeve azere në energji e turizëm

1 year ago 56
Reklamë

TIRANË, 7 Korrik/ATSH/- Presidenti Bajram Begaj, nga Azerbajxhani, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, vuri theksin tek energjia e turizmi, si sektorët ku mund të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Presidenti Begaj tha sot se ecuria e marrëdhënieve mes dy vendeve ka ecur me ritme tejet pozitive.

Këtë vit shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Mendoj se kemi mjaft arsye për të qenë mjaft krenar për marrëdhëniet tona, që sot janë më të mira se kurrë. I shpreha vlerësimin tim presidentit Aliyev për kontributet e rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”,- tha Begaj.

“Vitin e shkuar presidenti Aliyev vizitoi Tiranën. Ishte vizita e parë e një presidenti azer në Shqipëri. Impakti asaj vizite u reflektua menjëherë. Nuk vonoi shumë dhe parlamenti i Azerbajxhanit mori vendimin për hapjen e Ambasadës në Tiranë dhe po ashtu edhe Shqipëria mori vendimin për hapjen e ambasadës në Baku”,- shtoi Begaj.

Kreu i Shtetit në fjalën e tij, vuri në radhiti disa nga takimet e përbashkëta mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre nga Azerbajxhani.

“Në maj të këtij viti u mbajt grupi i përbashkët i punës për bashkëpunimin ekonomik, industrial e teknologjik mes dy vendeve, që shënon një hap të rëndësishëm për të thelluar marrëdhëniet në sferat e tjera të rëndësishme jetike. Në Baku, në 2024 do të mbahet takimi tjetër, që është një tregues i qartë i marrëdhënies tejet konstruktive mes dy vendeve tona. Gjithashtu në muajt e parë të këtij viti, pata mundësinë të isha pjesë e forumit global të Baku, një tjetër iniciativë për shkëmbimin e përvojave dhe eksperiencave më të mira”,- vuri në dukje Begaj.

Sa i takon energjisë, Begaj kujtoi projektin TAP, teksa shtoi se Shqipëria mirëpret rritjen e investimeve nga azerbajxhani në fushën e energjisë

“Shqipëria dhe Azerbajxhani janë të lidhur ndërmjet bashkëpunimit në fushën energjetike, TAP është një histori e konsoliduar suksesi. Përfitimet e Shqipërisë nga TAP kanë qenë të shumta, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë të forcimit të peshës strategjike të Shqipërisë. Ndërsa gazsjellësi Adriatiko Ionian do të kontributojë edhe më tej në rolin e Shqipërisë, si shpërndarëse e energjisë në rajon.

Presidentit Alyev i shpreha vullnetin e Shqipërisë për ndërmarrjen e hapave të shpejtë për gazifikimin të vendit në bashkëpunim të ngushtë me Azerbajxhanin. Shqipëria është vend tranzit i gazit dhe ky është realitet tashmë. Shqipëria është një vend përfitues i tranzitimit të gazit, është një objektiv për të cilin vendi ynë është i angazhuar për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin. Shqipëria mirëpret vëmendjen e Azerbajxhanit në zhvillimin e projekteve rajonale të energjisë që afron edhe më tej vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në të njëjtën kohë do forconte dhe pozicionin e tyre energjetik”,- vuri në dukje Begaj.

Më tej, Begaj tha se Turizmi është një tjetër sektorë ku dy vendet mund të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin. Sipas tij, investimet në turizëm nga sipërmarrës azer janë të mirëpritura.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve reflektohet edhe në organizmat ndërkombëtar, në vijim do të mbahet po ky ritëm shumë i mirë bashkëpunimi. Do të zhvillohet java kulturore e Azerbajxhanit shumë shpejt në Shqipëri. Qytetet e Shqipërisë mbushen me turistë nga e gjithë bota. Jam i bindur se java kulturore e Azerbajxhanit do të jetë festë e vërtetë, se si kultura mund të afrojë njerëzit dhe shoqëritë më pranë”,- tha Begaj.

“Të dyja vendet tona e shohin turizmin si një sektorë tejet i rëndësishëm për ekonominë. Thellimi i bashkëpunimit dhe prania e investimeve azere dhe në drejtim të turizmit janë të mirëpritura. Heqja e vizave është një tjetër mënyrë për të afruar më tej popujt tanë”,- nënvizoi Begaj.

Në fund, Kreu i Shtetit u shpreh mirënjohës për mbështetjen që Azerbajxhani i dha vendit tonë pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019.

“Ndihma në momente kritike është një çështje që popujt nuk e harrojnë. E tillë ishte dhe mbështetja e Azerbajxhanit pas tërmetit të vitit 2019. I shpreha mirënjohje presidentit Aliyev që qëndroj në anën tonë. Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”,- përfundoi Begaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Read Entire Article