Fredi Beleri ka dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve kërkesën për të marrë leje ditën e hënë, për t’u betuar si eurodeputet i Greqisë në Strasburg. Burgjet nuk kanë arritur ende të marrin një vendim për kërkesën e Belerit.
Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se Komisioni i Burgjeve do të mblidhet pasditen e sotme për t’iu përgjigjur kërkesës së Belerit.
Fredi Beleri ka kërkuar të lirohet përkohësisht nga burgu, për të shkuar në Strasburg, për të bërë betimin si eurodeputet. Edhe pse mediat greke raportojnë se tashmë Beleri e ka siguruar lejen dhe po bëhet gati për udhëtimin ky lajm është mohuar nga Drejtoria e Burgjeve, e cila në një reagim për News24 tha se leja për Fredi Belerin nuk ishte konfirmuar.
Kujtojmë se Fredi Beleri është një nga eurodeputetët e patisë Demokracia e Re, e drejtuar nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së dhe arriti të zgjidhet eurodeputet në zgjedhjet e 9 qershorit.
Mbledhja e parë inauguruese e Parlamentit Europian zhvillohet të hënën e 15 korrikut.
Fredi Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vite heqje lirie me akuzën e blerjes së votave, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb