“Beleri, shumë zhurmë për asgjë”, Rama për mediat greke: Asnjë problem për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve

11 hours ago 13

Edi Rama e sheh si shumë zhurmë për asgjë të gjithë vëmendjen që ju dha çështjes së Fredi Belerit duke u kthyer një çështje mes dy shteteve. Në një intervistë për mediat greke pas takimit të Selanikut me emigrantët, Rama sqaron dhe arsyet përse nuk u takua me Belerin kur erdhi në Tiranë javën e shkuar si pjesë e delegacionit të eurodeputetëve për Komitetin e Stabilizim-Asociimit.

“Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim. Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq. Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën”, tha Rama.

Rama siguron që kjo çështje gjithsesi nuk e ka dëmtuar miqësinë e tij me kryeministrin Mitsotaqis miqësi që saktëson që nuk prevalon mbi interesin kombëtar.

“Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti. Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq. Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë”, tha Rama.

Read Entire Article