Beleri zbut tonet para takimit me kryeministrin shqiptar: Rama bën punën e tij dhe unë timen

2 hours ago 18

Eurodeputeti i Demokracisë së Re, kandidat për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri në një takim në Selanik me zv/ministrin e Brendshëm, për Maqedoninë dhe Trakën, Konstandinos Gioulekas është pyetur edhe për takimin që ai do të ketë pas disa ditësh me kryeministrin shqiptar Edi Rama, si pjesë e një delegacioni të PE në Tiranë.

“Unë do të jem një nga dhjetë eurodeputetët që do të shkojnë në Shqipëri për të pasur një takim me kryeministrin. Aty do të kemi vërtet një takim me zotin Rama. Mendoj se zoti Rama po bën punën e tij dhe unë po bëj timen”, ka deklaruar Fredi Beleri.

Në një pyetje tjetër të gazetarëve lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, eurodeputeti Beleri theksoi: “Gjeografikisht Shqipëria është në Europë . Pyetja është nëse ajo dëshiron të hyjë. Greqia ka luajtur një rol udhëheqës në hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, i cili është shtëpia e të gjithëve, por që ka rregullat e tij”.

Nga ana e tij zv/ministri grek i Maqedonisë dhe Trakës, i pyetur për të komentuar vizitën e ardhshme të kryeministrit shqiptar në Selanik ka thënë se Greqia është një vend i lirë dhe demokratik. “Ajo që dëshirojmë është që të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje, për të ndihmuar në përparimin e tyre të mëtejshëm”, ka thënë ai .

Gjithashtu qeveritari grek ka deklaruar se vlerëson në veçanti përpjekjet e Belerit për mbrojtjen e të drejtave të banorëve të Vorio Epirit, por edhe ato gjatë kohës së ndjekjes penale të tij nga sistemi i drejtësisë shqiptare.

“Ne mirëpresim kryebashkiakun e zgjedhur grek të Himarës dhe eurodeputetin aktual të Demokracisë së Re. Me aventurën e fundit ai na mësoi se si të mos bësh kompromise, duke mbajtur lart flamurin e vlerave dhe idealeve që mbron dhe tani nga karriget e Parlamentit Europian ku do të përcjellë zërin e Vorioepiriotëve dhe kjo për ne është më e rëndësishmja”, tha zëvendësministri.

Gioulekas nënvizoi se shtetet fqinje dhe Shqipëria duhet të dinë se marrëdhëniet e mira me kushtet që Greqia dëshiron dhe që ka dëshmuar , kalojnë përmes pakicës etnike greke të Vorio Epirit.

“Ajo që ne kërkuam është që të respektohen të drejtat e njeriut të vëllezërve vorioepiriotë nëse fqinjët tanë duan të ndjekin rrugën evropiane dhe të gjejnë në Greqi një mbështetje të vërtetë”, ka deklaruar ai para mediave greke.

Read Entire Article