“Spiun, tradhtar e UDB-ash”... A po kërcënohen me vrasje dëshmitarët e Speciales?

2 hours ago 20

Gjatë kësaj jave në Gjykatën Speciale për tre ditë rresht, dëshminë e tij e dha Fadil Geci, njëri nga vëllezërit Geci, i cili drejtoi gishtin ndaj Hashim Thacit, si njeriu kryesor që ka hartuar dhe shkruar komunikatën numër 59, komunikatë kjo që ishte lëshuar në vitin 1998 kundër Gani Gecit dhe familjes së tij.

“E di që Thaçi e ka shkru. Unë prej ditës së parë që e ka shkru i kam shku në shpi dhe i kam thanë ama përgjigjen për komunikatën. Baba i tij ka thanë që brenda ni muaji ma jep përgjigjen. Kurrë nuk e ka thënë”, tha Fadil Geci ndër tjerash në dëshminë e tij.

Por siç ka ndodhur jo rrallë herë, pas dëshmisë që Geci dha në Speciale, kanë filluar sulme ndaj tij dhe familjes së tij, duke i etiketuar si “tradhtar, spiunë e Udbash”, vetëm pse po kërkojnë drejtësi në Speciale, ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët.

Etiketimet kundër dëshmitarëve

Se këto etiketime dhe akuza të pabaza nuk janë diçka e re, e thotë edhe Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

Image

Sali Çekaj.

“Këto akuza dhe etiketime të pabaza, të cilat po qarkullojnë kundër dëshmitarëve që po dëshmojnë në Gjykatën Speciale në Hagë, e veçanërisht kundër Fadil Gecit, nuk janë diçka e re. Kjo logjikë ka ekzistuar edhe shumë më herët, kujtojmë komunikatat dhe shkrimet që etiketonin dhe akuzonin personalitetet e larta të LDK-së dhe institucioneve tjera të shtetit, duke i akuzuar si UDB- ash, KOS-ist, kolaboracionist, tradhtarë, spiun etj”, shprehet Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, me këtë logjikë edhe kanë ndodhur vrasjet politike në Kosovë.

“Kjo logjikë komuniste që u praktikua para lufte, gjatë luftës dhe pas sajë, kishte për qëllim fillimisht vrasjen morale të tyre dhe pastaj vrasjen fizike të tyre. Kjo praktikë u përdor edhe kundër dëshmitarëve duke i etiketuar me këto etiketa dhe pastaj pasonte likuidimi fizik i tyre, si arsyetim i veprimit kriminal. Kjo propagandë e turpshme duhet të ndërpritet dhe të lihen të qetë dhe pa presione dëshmitarët. Ata po i paraqesin dëshmitë e tyre në mënyrën e tyre duke i argumentuar me fakte”, thotë Tahiraj.

Dëshmia e Fadil Gecit ishte pa dorëza, shumë e guximshme dhe duke e i argumentuar të gjitha me fakte. Si nuk ju vije turp të akuzohet me etiketa të tilla një aktivist, luftëtarë dhe patriot i vërtetë i cili dhe çdo gjë në shërbim të atdheut, të lirisë dhe pavarësisë. Jo vetëm Fadili por e tërë familja Geci, ishin në të gjitha periudhat në shërbim të atdheut”, shton Tahiraj, i cili bën thirrje që të lihet e qetë Gjykata Speciale në punën e saj.

“Lëreni Gjykatën Speciale të qetë të veprojë pa presione, lëreni dëshmitarët të dëshmojnë pa presione dhe pa etiketa të tilla të pabaza. Vetëm atëherë do kemi një drejtësi reale e cila do vendos verdiktin final drejt. Uroj që pas këtyre sulmeve me etiketa të tilla pa fije morali, mos të përsëritet e kaluara dhe dëshmitarët të jenë të rrezikuar me jetë”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Vrasja e dëshmitarëve

Image

Nexhat Haziri

Kurse, analisti Nexhat Haziri thotë se përveç etiketimeve, në Kosovë ka ndodhur edhe vrasja e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale.

“Fushatat kundër dëshmitarëve në Hagë ka qenë prezent që me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, duke i etiketuar si spiunë e UDBASH, e deri te vrasja e atyre që po ashtu janë identifikuar si dëshmitar të mbrojtur të Gjykatës Speciale”, shprehet Haziri.

Krejt kjo sipas Hazirit, po bëhet me qëllim të frikësimit të dëshmitarëve kundër të akuzuarve në Speciale.

“E gjithë kjo është bërë dhe po bëhet për dekujarimin dhe frikësimin e dëshmitarëve për të hequr dorë nga dëshmitë e tyre. Pra e njëjta gjë po ndodhë edhe ne rastin e dëshmisë së z. Fadil Gecit”, përfundon analisti Nexhat Haziri.

Read Entire Article