Berisha: BE të angazhojë Komisionin e Venecias për të rishqyrtuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Është degë e ekzekutivit!

2 hours ago 30

Kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë sot një deklaratë të pazakontë lidhur me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Gjatë një konference për mediat, Berisha i bëri thirrje Bashkimit Europian të angazhojë Komisionin e Venecias për ta rishqyrtuar edhe njëherë reformën e miratuar me 140 vota në 21 korrik 2016.

Duke cituar gjetjet e raportit World Justice Project, Berisha u shpreh se drejtësia në Shqipëri ka dështuar. Ai tha se Shqipëria ka zbritur në renditjen botërore, sa i takon korrupsionit, zbatimit të ligjit dhe ndërhyrjeve nga qeveria, nga vendi i 52-të kur në fuqi ishte “drejtësia e vjetër”, në të 106-ën pasi u reformua. Berisha e konsideron drejtësinë si degë të ekzekutivit.

“…drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë. Është një degë ekzekutivi për narkoshtetin shqiptar. Ndaj PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij.

Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji“, u shpreh Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article