Berisha: Firma e Ramës për emigrantët, e pavlefshme

11 months ago 25
15:41 07/11/2023

“Shqipëria e ka një marrëveshje me Italinë”

Sali Berisha e cilësoi të pavlefshme firmën e hedhur nga Kryeministri Rama në marrëveshjen e arritur mbrëmjen e të hënës mes tij dhe homologes italiane Giorgia Meloni në lidhje me emigrantët që do të strehohen në Shqipëri.

“Firma e Edi Ramës në atë marrëveshje është e pavlefshme sepse Edi Rama është kryeministër nën hetim ndërkombëtar, është bashkëfajtor me McGonigal. Është i gatshëm të firmosë çdo gjë për të lehtësuar dhe shpëtuar menderen e tij.”

Ish-kryeministri shkoi edhe më tej duke sqaruar se, Shqipëria e ka një marrëveshje të nënshkruar gjatë qeverisë së Partisë Demokratike me ish-ministrin Italian të kohës Giorgio Napolitano, ku trajtohen rastet e emigrantëve që zgjedhin Shqipërinë si vend kalimi për të mbërritur në Itali. Përtej asaj marrëveshjeje Berisha tha se çdo dokument tjetër i firmosur nga Rama ka vetëm një qëllim.

“Atë zotim, Edi Rama e ka marrë në emër të trafikantëve të skllevërve njerëzore. Ne njohim marrëveshjen që kemi firmosur me Italinë për të rikthyer në Shqipëri ata emigrantë të huaj që mund të kalojnë nga Shqipëria në Itali”.

Deklaratat Berisha i bëri jashtë ambienteve të Kryesisë, ku sërish deputetët e opozitës vijuan protestën e tyre duke pamundësuar vijimin normal të komisioneve parlamentare, ndonëse pjesa dërrmuese e tyre ishin online.

“Nuk i mbyllet deputetit me mandat dera me çelës. Asgjë s’do të mund të ndalë protestën e deputetëve të opozitës në mbrojtje gjer në sakrifica të mëdha, të të drejtave kushtetuese.”

Por mbledhjet online nuk ishin aspak një pengesë për demokratët, të cilët u futën nëpër sallat ku socialistët ishin mbledhur. Kërkuan të jenë pjesë e tyre dhe kur nuk u lejuan u kalua deri në përplasje fizike.

E teksa disa prej komisioneve u shtynë, demokratët qëndruan në korridore duke u bërë barrikadë duke mos lejuar rinisjen e tyre online. Por Sali Berisha i cili ndodhej në Kryesinë e Kuvendit reagoi ashpër duke hedhur akuza në adresë të Kryeministrit.

“Unë e garantoj Edi Ramën se do mund të fshihet virtualisht, por vetëm përkohësisht. shkelin ligjin dhe Kushtetutën për t’u bërë të padukshëm në sallat, komisionet parlamentare. Ky është asgjësim de facto i parlamentit”.

Por ish-kryeministrit iu ndërpre fjala nga një qytetare, e cila e bëri përgjegjës për marrëveshjen e arritur mes tij e Kryeministrit Rama në vitin 2008 lidhur me ndryshimet kushtetuese.

“Unë mendova mos kishe ndonjë hall personal, këto shko futu në një parti dhe zgjidhi”.

Pavarësisht qëndrimit të Sali Berishës jashtë Kuvendit dhe demokratëve në korridoret e kryesisë, socialistët aty ku mundën vijuan me komisionet online, ku u diskutua projektbuxheti për vitin 2024.

Tv Klan








Read Entire Article