Berisha nga Durrësi: Nuk ka sanksion që na ndal, do ta fitojmë betejën

11 months ago 25
19:14 11/11/2023

Ish-Kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim në Durrës me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike, ku foli për betejën e opozitës në Parlament gjatë javëve të fundit.

Berisha tha se opozita është e vendosur t’i qëndrojë deri në fund kërkesave të saj, edhe pse siç u shpreh, janë koshientë që Kryeministri nuk ja u plotëson.

“Parlamenti do u rikthehet qytetarëve vetëm kur Kushtetuta të zbatohet aty. Deputetët e parlamentit janë të vendosur për sakrificë sublime njëlloj si në vitin 1991, qytetarët e Durrësit bënë copa këtu përmendoren e Enver Hoxhës, në Shkodër të Stalinit, njësoj si Kavaja që përmbysi diktaturën. Sot të gjithë jemi të thirrur në fushë për aktet e guximit. Në parlament çfarë po bëjmë? Ne e dimë që ai nuk i plotëson kërkesat, por ne do qëndrojmë deri në pikën e fundit. Sepse ne duhet të vrasim frikën te të tjerët. Këto janë akte, simbole të guximit, por duhen për të vrarë frikën. Se ka ngjallur frikë ky biri i xhelatëve. Ka ngjallur frikë te qytetarët. Pra, ka një kohë sot, ka një kohë për çdo demokrat. Unë do ua them këtu, shumë nga ju mund të keni menduar se ne duhet të zgjedhim emër tjetër. Jo, ne nuk do zgjedhim emër tjetër. Ai emër dhe demokracia e Shqipërisë, ai emër dhe pluralizmi, ai emër dhe shpresa e Shqipërisë, duhet të jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë”.

Sali Berisha foli edhe për tërheqjen e tij në vitin 2013, veprim për të cilin thotë se nuk ndjeu keqardhje, por theksoi se nuk mund të pranojë që bandat kriminale të përfshihen në procesin elektoral të zgjedhjeve.

“U largova në vitin 2013, ua them ju me sinqeritet, jo me ndonjë keqardhje të madhe.

Një ndërrim pushteti u bë dhe historia e demokracisë është historia e ndërrimit të pushteteve.

Së bashku e morëm Shqipërinë nga thellësitë e prapambetjet, u anëtarësua në NATO, u transformua infrastruktura, u dyfishuan të ardhurat. Kishte shpresë. Kishte të meta, kishte probleme, por do vijonte shpresa. Në dy vitet e fundit të heqjes së vizave, në Gjermani kërkuan azil vetëm 430 shqiptarë. Kurrë nuk mund të mendonim se do vinte një ditë që për ju do votonin Bajrat, do votonte Dervishi, do votonte Lul Berisha, të votonin Avdylajt, etj. Jo mor jo, do votojmë vetë. Do votojmë vetë dhe atyre vrimën e miut do u tregojmë. Nuk ka kriminelë trima. Krimineli është trim po iu trembe. Po nuk iu trembe, ia mbath si miu. Po pse ata do votojnë për ne? Jo, ne do votojmë për veten dhe fëmijët tanë. Ata do rrëmbejnë votat tona për Edi Ramën? A do pranojmë ne këtë gjendje ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim? A do pranojmë ne që Pëllumb Gjoka të diktojë votën një për një në Velipojë? Dhe këto vota do e shndërrojnë në investitor strategjik? Të vrasë tjetrin dhe t’i marrë 390 mijë metra katrorë plazh. Çfarë jemi ne? Jo mo nuk jemi ne kurrë ata. Ka një keqkuptim këtu. Ne, këtyre që na sillen kështu, më keq si çdo pushtues, do u tregojmë vendin si Skënderbeu pushtuesve tanë. Do ngrihemi ne. Nuk ka një komb tjetër, ku shqiptarët të jenë të diskriminuar në një shkallë të tillë. Nuk ka një komb tjetër ku njerëzve t’u mohohet identiteti, t’u mohohet vota. Ku njerëzit të nxiten të largohen nga vendi i tyre. Nuk ka një kryeministër tjetër, i lidhur këmbë e krye me krimin, që nuk lejon opozitën të ngrejë, siç thotë Kushtetuta, komisionet hetimore parlamentare.

Po pse nuk dashka të hetojmë ne thjeshtrën e tij, e cila është një vajzë 20 a 30-vjeçare, e cila është e papërmbajtur në tendera. Dhe tenderat ia ndalon Kushtetuta asaj. Kushtetuta thotë se ministrat, deputetët, familjet e tyre nuk mund të pëfitojnë një qindarkë nga fondet publike, lokale apo qendrore”.

Pavarësisht masave përjashtuese nga Parlamenti të disa deputetëve demokratë, kryetari i PD theksoi se opozita nuk do të tërhiqet dhe do ta vijojë betejën e saj.

“Ne jemi para qenies së mosqenies. Nëse ne nuk qëndrojmë për ju në të drejtën që na njeh Kushtetuta, ne nuk ekzistojmë. Po cila është alternativa? Të largohemi nga parlamenti? Në asnjë mënyrë, aty do rrimë në çdo akt tonin do shihni kryengritjen tuaj, përpjekjen tonë për përmbysjen e regjimit. Kjo është një betejë dhe ne do e fitojmë ne. Edi Rama e ka kuptuar që ne do e fitojmë këtë betejë dhe sapo u ngritëm në këmbë si një opozitë e vërtetë, e pamposhtur, si një opozitë që nuk mund ta shiste dhe blinte, vendosi sanksione duke besuar se do na tërheqë. Nuk ka sanksion, nuk ka burg, nuk ka gjë në botë që mund të na ndalë ne, ne jemi shpresa e vetme e shqiptarëve.

Ne do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët. Përpiqet të bëjë çdo lloj pazari, vetëm e vetëm të sigurojë karrigen e tij”.

tvklan.al


Read Entire Article