Gazment Bardhi iu drejtua javën e kaluar Kuvendit përmes një shkrese duke bërë të ditur se anuloheshin të gjitha masat disiplinore ndaj deputetëve të djathtë.
Mes të përjashtuarve, ai që përfiton në letër është edhe ish-kryeministri Sali Berisha i pezulluar nga grupi parlamentar i PD me vendim të Lulzim Bashës në 9 shtator 2021 dhe më pas përmes ndryshimeve statutore të PD në Kuvendin e 18 dhjetorit 2021, i përjashtuar.
Burime nga Kuvendi pohojnë se Kuvendi ka pranuar pjesërisht shkresën e Bardhit. Tritan Shehu, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, rikthehen në grupin parlamentar demokrat. Në faqen online të Kuvendit mund të shihet lehtë përbërja e grupit parlamentar demokrat dhe mes emrave bien në sy edhe të përjashtuarit e Lulzim Bashës.
Po Sali Berisha?
Emri i kryeministrit nuk është marrë në konsideratë nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
Berisha në faqen e Parlamentit i përket listës së deputetëve jashtë grupeve parlamentar.
Iniciatori i rikthimit të të gjithë të përjashtuarve në PD, Gazment Bardhi tha se njeh grupin parlamentar demokrat si të tërë, atë që u shpërfaq në mbledhjen e 5 shtatorit 2023, përfshirë në të edhe Sali Berishën.
BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb