Berisha nuk dorëzon dot kërkesën për përjashtim e gjyqtares

9 months ago 27
19:18 29/12/2023

Avokatët: Gjykata nuk na vuri në dispozicion provat

Edhe pse paralajmëruan se këtë të premte do të dorëzonin kërkesën për përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka nga çështja për ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, Gjykata e Posaçme njoftoi se avokatët nuk e kishin bërë këtë brenda orarit zyrtar.

“Gjykata e Posaçme ju bëjmë me dije se deri në orën 16:00, në sekretarin e Gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka!”

Nga ana tjetër, në një reagim për Tv Klan, avokati i liderit të opozitës, Sokol Mëngjesi, tha se GJKKO së pari, duhet të informojë publikun pse nuk i vuri atyre në dispozicion një vendim që ata e konsideronin të domosdoshme për kërkesën e tyre për përjashtim.

“GJKKO të informojë se cila është arsyeja që deri në orarin zyrtar nuk vuri në dispozicion vendimin e papranueshmërisë së kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka sikurse iu premtua avokatëve zyrtarisht dhe verbalisht!”

Kodi Procedurës thotë se palët kanë afat jo më shumë se 3 ditë për të dorëzuar kërkesën për përjashtim, duke i bashkëlidhur edhe provat që disponohen.

Ndërkohë që kërkesa nuk është dorëzuar, gjyqtarja Irena Gjoka ka caktuar datën 30 dhjetor, të shtunën ora 12:00 për të shpallur vendimin e saj nëse do të ashpërsojë masën e sigurisë për ta dërguar ish-kryeministrin në arrest shtëpie, sipas kërkesës së SPAK.

SPAK thotë se ish-kryeministri nuk ka zbatuar masën e detyrimit për t’u paraqitur caktuar në tetor ndaj tij dhe ndaj duhet të ashpërsohet masa në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore. Duke i hequr edhe të drejtën e kontakteve.

Nga ana tjetër avokatët pretenduan në seancë se masa e parë ndaj tij ishte antikushtetuese sa kohë doli pa lejen e Kuvendit. Ata gjithashtu konsiderojnë kërkesën e SPAK për mbikëqyrje policore dhe mungesë të komunikimeve si jo ligjore.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article