Berisha nuk shkon në Këshillin e Mandateve, me protestuesit i drejtohet Kryesisë së Kuvendit: Sot do jemi luftëtarët e parë në rrugë

10 months ago 11

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të shkojë në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, për të argumentuar se pse nuk duhet t’i hiqet imuniteti i deputetit.

Në një deklaratë për shtyp pak 40 minuta para nisjes së mbledhjes, Berisha argumentoi se shkuarja në atë Komision, nënkuptonte pranimin e poshtërimit publikisht të institucionit më të rëndësishëm të shtetit. Në vend të kësaj, ish-kryeministri theksoi se ai së bashku me një grup demokratësh do të protestojnë në rrugë.

“Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit.

Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.

Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë.

Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.

Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.

Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare.

Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament”- tha Berisha.

Pamjet e siguruara nga Top Channel tregojnë se një grup njerëzish ndodhen duke pritur ish-kryeministrin Berisha, me qëllim që pas përfundimit të deklaratës të nisen për tek kryesia e Kuvendit.

Top Channel

Read Entire Article