Berisha: Rama, i tronditur nga bashkimi i opozitës

1 year ago 22
13:21 09/10/2023

Partia Demokratike mblodhi këtë të hënë Kryesinë. Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se opozita është shpresa e vetme për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi.

Për këtë arsye ai u shpreh se demokratët kanë shpallur angazhimin dhe vendosmërinë për hapjen dhe reformimin e mëtejshëm të PD-së.

“Shpresë e vetme për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi është opozita shqiptare, është PD. Në përpjekjen tonë për të përmbushur misionin e vështirë në këto rrethana, ne kemi shpallur vendosmërinë tonë për hapjen dhe reformimin e mëtejshëm të PD. Për angazhimin e elitës së vendit në përpjekjet e kësaj partie. Kemi shpallur bashkimin e opozitës dhe në këtë aspekt, hapat konkrete janë shënuar. Janë shënuar hapa konkrete me rezultate konkrete në bashkimin e deputetëve të PD, por edhe në bashkimin me aleatët tradicionalë të PD, të spektrit opozitar”, tha Berisha.


Ky bashkim, sipas Berishës, ka tronditur thellë kryeministrin Edi Rama.

“Procesi i bashkimit nuk është një proces i thjeshtë, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe veçse si një proces reflektimesh, si një proces i cili kërkon gradualitetin e tij, kërkon maturimin e tij. Por e vërteta është se ky proces ka tronditur thellë Edi Ramën dhe e ka nxjerrë përsëri ashtu siç është, një armik i egër i opozitarizmit të vërtetë. Personalisht jam optimist për këtë proces. Personalisht jam i bindur se cilado të jetë manovra që do bëjë Edi Rama, qëndrimi ynë si opozitë e vërtetë do e sfidojë atë në mënyrën më të merituar”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha tha se opozitarët më 16 Tetor do të bëjnë gjithçka që t’i tregojnë audiencës europiane të vërtetat e Ramës dhe regjimit të tij.

“Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij. Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Mediat kanadeze publikuan një artikull të gjatë të tërë për kartelin e Sinaloas dhe miqtë e Edi Ramës, Luftar Hysën, etj. Pra, të gjitha këto e bëjnë më të komplikuar betejën tonë, por ne do e bëjmë këtë betejë, se ne kemi të drejtën, ne kemi të vërtetat me vete. Ne nuk shtojmë, nuk deformojmë asnjë të dhënë”, tha Berisha./tvklan.al





Të ngjashme

Read Entire Article