Gazetari Blendi Fevziu në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24 ka folur për figurën e Ismail Kadaresë, kolosin e letrave shqipe që u nda nga jeta mëngjesin e sotëm.
Fevziu tha se kur mora vesh lajmin ndjeva humbjen e një njeriu të dashur, ishte një moment i trishtë.
Fevziu e cilësoi ndarjen nga jeta të Kadaresë si një humbje dhe boshllëk për të gjithë.
“Do të lërë një boshllëk të jashtëzakonshëm te të gjithë, ishte një aktor i rëndësishëm në Shqipëri, jo vetëm një shkrimtar. Kadare kishte kurajon që të mbante qëndrime të rëndësishme qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e shqiptarëve”, tha Fevziu.
Duke folur për rolin e Kadaresë në lëvizjen demokratike, Fevziu u shpreh se largimi i Ismail Kadaresë në 24 ose 25 tetor 1990 e transformoi komplet tablonë në Shqipërinë.
“Largimi i Kadaresë ishte goditja fatale, njerëzit e panë Kadarenë si lajmëtarin e një regjimi që po ikte. Kadare kontribuoi më shumë me ikjen për rrëzimin e regjimit, se sa të rrinte në Shqipëri”, tha ai.
Në vijim, Fevziu u shpreh se vepra kryesore e Kadaresë është shkruar në komunizëm.
“Ka shkruar vepra të nivelit botëror pikërisht në periudhën e komuznimit. Ismail Kadare ishte pikë referimi për të gjithë ata që donin të shikonin një disidencë estetike. Kadare ëhstë takuar vetëm njëherë me Enver Hoxhën, në momentin që po shkruante “Dimri i vetmisë së Madhe””, tha Fevziu, duke e cilësuar si europianin më të madh mes shqiptarëve.
Fevziu tha se Kadare ishte i jashtëzakonshëm në bashkëbisedim, kishte një kulturë të jashtëzakonshme dhe mund të fliste për çdo temë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb