“Borxhi nga 74% është ulur në 60%”, Rama: Nëse vijon ulja dhe ecim mirë me negociatat do të kalojmë në një tjetër vlerësim

11 months ago 11
18:36 07/11/2023

Kryeministri Edi Rama, duke folur në Asamblenë e zgjeruar të PS në Durrës ndër të tjera përmendi faktin që Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar Shqipërinë si vendin me ekonominë më rezistente të rajonit. Rama theksoi edhe uljen e borxhit nga 74% në 60% pas rritjes që pësoi nga tërmeti dhe pandemia e Covid-19, ku u shpreh se nëse ulja vazhdon dhe do të ketë ecuri të mirë me negociatat, Shqipëria do të kalojë në një tjetër vlerësim.

Kryeministri tha se edhe në Shqipëri ka pasur problem me inflacionet dhe janë rritur çmimet, por krahasimisht me vendet e tjera në rajon është një kurbë shumë më e butë.

“E di që shifrat nuk janë gjithmonë tërheqëse në bisedë, por disa shifra dua t’i them se janë të rëndësishme. Përgjithësisht nuk jam një citues i rregullt i organizmave, por kur Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) thotë që Shqipëria ka një nga ekonomitë më rezistente të rajonit është shumë e rëndësishme. Që do të thotë që nëse ne do të konsolidojmë uljen e borxhit i cili faktikisht u rrit ndjeshëm për shkak të goditjeve si tërmeti dhe pandemia dhe ka rënë aktualisht nga thuajse në 60% nga 74% që ishte zyrtarisht kur u ngjit lart. Nëse do të zbresim nën 60% dhe do të ecim mirë me negociatat ne do të kalojmë në një tjetër vlerësim. Është njësoj po aq i paimagjinueshëm siç është shifra e 9 milion turistëve këtë vit që është që Shqipëri të kaloj nga B+ në 2B.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishmë sepse kjo ka të bëjë drejtëpërdrejt më shpenzimet që inflacioni në Shqipëri që është prej disa kohësh si pasojë e post-Covid e luftës në Ukrainë, problem botëror mbetet në vlerësimin e organizmave ndërkombëtarë më i ulëti në rajon dhe me tendencë akoma më ulëse në vitin e ardhshëm ndërkohë që është nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Sigurisht ka pasur problem me inflacionet dhe janë rritur çmimet, por krahasimisht me vendet e tjera në rajon është një kurbë shumë më e butë dhe sigurisht kjo ka ardhur edhe si rezultat i politikave që kemi bërë.”

Rama foli edhe në lidhje me çmimin e energjisë ku theksoi faktin që edhe pse ka pasur rritje të çmimit të energjisë në blerje nga importi, faturat e konsumatorëve nuk kanë ndryshuar kjo pasi qeveria ka vendosur në dispozicion një shumë parash për të mbuluar diferencat.

“Nga ana tjetër është e rëndësishme, se më bën përshtypje kur njerëzit pyeten për energjinë dhe rritjen e çmimit. Në fakt nuk ka pasur rritje të çmimit të energjisë edhe pse ka pasur një rritje të çmimit të energjisë në blerje nga importi, por nuk ka pasur rritje të çmimit në shitje tek qytetarët sepse të gjithë diferencën e ka mbuluar qeveria duke vendosur një shumë të konsiderueshmë parash që fatura në çdo familje të mos ndryshojë. Konsumatorët kanë paguar faturën njësoj si të mos kishte asnjë rritje në treg.”

Gjithashtu gjatë fjalës së tij kryeministri ka folur lidhur edhe për buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm i cili është në proces miratimi ku ka theksuar se qeveria nga 3 miliardë Euro në vit e ka çuar tashmë në 7 miliardë Euro këtë buxhet edhe pse mes vështirësive nga faktorë të jashtëm si tërmeti, pandemia e lufta.

“Po ashtu ne sot që përgatisim dhe jemi në proces miratimi të buxhetit të viti të ardhshëm e kemi marrë buxhetin 3 miliardë Euro dhe sot kemi buxhetin 7 miliardë Euro. Dhe rritja mes këtyre vështirësive nga forca jashtë nesh është një tjetër arsye për të parë se është hapur një portë e re për Shqipërinë dhe kjo përkthehet në një ndryshim të drejtëpërdrejt të natyrës financiare për të gjithë ata që punojnë.”/tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article