“Çështja Beleri, vendos ligji”, BE nuk e mbështet sjelljen e Greqisë me Shqipërinë

10 months ago 20

Kërcënimet e Athinës zyrtare se do të pengojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për shkak të çështjes Beleri, i është përgjigjur së fundi edhe vetë zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Në një intervistë për Open Tv News, Stano e këshilloi fillimisht Greqinë të shmangë acarimin e marrëdhënieve mes palëve, e pastaj përcolli mesazhin e qartë se në këtë çështje zbatohet sundimi i ligjit.

“Ne nuk hyjmë në mosmarrëveshje dypalëshe pasi kemi besim tek aftësia e aktorëve, sidomos nëse aktorët janë shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet që do të jenë pjesë e saj, për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë që të ketë përfitim reciprok, në zbatim të rregullave dhe parimeve.

Në këtë rast zbatohet sundimi i ligjit. Ligji duhet të respektohet dhe nëse ka dyshime, shtetet anëtare të BE-së dhe gjithashtu shtete si Shqipëria i zotërojnë instrumentet dhe mjetet për t’i dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që të mos krijojnë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit“, tha Peter Stano.

Më herët, edhe kancelari gjerman Olaf Scholz e cilësoi si të papranueshëm pretendimin e Greqisë për të penguar rrugën e integrimit të Shqipërisë për çështjen Beleri.
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme në Shqipëri refuzoi kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, për t’u pajisur me leje të posaçme për të bërë betimin pranë Këshillit Bashkiak.

Beleri, u arrestua dy ditë përpara votimeve të 14 majit nën dyshimet për shitblerje vote, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet janë mbyllur dhe ka nisur procesi ndaj tij nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Edhe pse u shpall fitues, ai nuk ka mundur të bëjë betimin, akt i cili do ta zyrtarizonte si drejtues të bashkisë.

Read Entire Article