Malaj prezanton buxhetin 2025 në Konferencën e Kryetarëve: Rritja ekonomike 3.9%, shpenzimet publike mbi 8 miliardë euro

3 hours ago 16

Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2025 në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, duke i hapur kështu rrugën edhe nisjes së diskutimeve në parim në komisionet parlamentare.

Ministri Malaj bëri të ditur se projektbuxheti synon të mbështesë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimin fiskal.

Vëmendje e veçantë, tha ai, i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë me ato vende të BE-së.

“Pr/buxheti 2025 tejkalon shifrën e 8 miliardë eurove shpenzime publike të planifikuara, dhe në të njëjtën kohë projekton një borxh publik me ulje të vijueshme, duke u fokusuar tërësisht në miradministrimin fiskal, pa prezantuar masa të reja fiskale”, tha ai.

Sipas ministrit, ekonomia jonë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë një sërë goditjesh të njëpasnjëshme gjatë viteve të fundit, nisur nga tërmeti i nëntorit 2019, pandemia globale në vitin 2020, dhe së fundmi ndërprerja në zinxhirët e furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë.

“Rimëkëmbja ekonomike vendase ka tejkaluar pritshmëritë tona fillestare, dhe më e rëndësishmja, fondamentet makroekonomike kanë dëshmuar qëndrueshmëri të lartë gjatë kësaj periudhe sfiduese. Ekonomia e vendit vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi edhe në 2024”, deklaroi Malaj.

Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin bazë të programimit makrofiskal për vitin 2025, Malaj tha se parashikohet një rritje ekonomike prej 3.9 %.

“Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit”, deklaroi Malaj.

Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, Malaj tha se ato mbeten përgjithësisht të balancuara dhe të menaxhueshme.

Read Entire Article