Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24 është diskutuar mbi ndryshimet e fundit në Qeveri, që u njoftuar një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama në Kongresin e socialistëve.
Analisti Ben Andoni i konsideroi ndryshimet thellësisht politike, ndërsa u shpreh se kjo parti po afron gjithmonë alternativa për njerëzit teknicienë apo të rinjtë.
“Ndryshimi i Qeverisë më shumë tregon se Edi Rama është i pari, që ai mendon për projeksionet e PS-së, se sa për të treguar se ishin të nevojshme”, tha Andoni.
Analisti tha se niveli i korrupsionit është në nivele të frikshme në vendin tonë, sikundër edhe krimi, pavarësisht punës së madhe që bëhet nga Ministria e Brendshme.
Andoni tha se duket se Edi Rama ka menduar që të kthejë në terren njerëzit që kanë vota dhe me këtë logjikë janë kryer edhe lëvizjet, duke kthyer Taulant Ballën dhe Niko Peleshin në terren.
“Mos harroni që Taulant Balla ka marrë më shumë vota në 2021, pra është njeriu i terrenit. Ai e përmbushi egon e tij për të qenë ministër i Brendshëm, tashmë bashkë me Niko Peleshin, duket se është menduar se do të jenë në terren”, tha Andoni.
Lidhur me emërimin e Piro Vëngut si ministër i Mbrojtjes, Andoni tha se ai ka qenë i angazhuar në disa delegacione ndërkombëtare, përfshi edhe atë të çështjes së detit.
“Ardhja e një teknicieni i bën mirë qeverisë Rama. Askush prej tyre kur ngre një modul të caktuar do e çojë deri në fund apo jo. Kjo tregoi rasti i Ervin Metes, një teknicien shumë i mirë, por që u largua. Po kështu edhe Taulant Balla bëri një punë shumë të mirë dhe sërisht u largua”, tha Andoni.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb