Që prej 31 Dhjetorit e në ditët e para të Janarit 2024, Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit ka shtuar efektivët e policisë në çdo rrugë të qytetit.
Masat e shtuara nga DVP Berat me 30% më shumë efektivë nga çdo sektor e komisariat kanë pasur si qëllim, jo vetëm normalizimin e qarkullimit të shtuar të automjeve në rrugë por edhe kapjen e personave në kërkim, kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike në doza, uljen e kriminalitetit, rritjen e sigurisë rrugore etj.
Për shkak edhe të lëvizjeve të shumta në rrugë, që prej mesnatës së 1 Janarit policia ka blinduar të gjitha rrugët e qytetit.
Aksioni policor, ku janë përfshirë të gjitha strukturat e DVP-së Berat ka vijuar në pikat kyçe të qytetit dhe në hyrje-daljet e tij, ndërkohë që postblloqet policore janë ngritur paralelisht me Beratin edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut.
Në aksionin policor janë angazhuar të gjithë sektorët e policisë së Beratit, duke filluar që nga inspektorët e krimeve, të trafiqeve, forcat Shqiponja, forcat e ndërhyrjes së shpejtë e deri tek ata të qarkullimit rrugor.
Mësohet se në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe policore, janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë si dhe janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet, nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat apo në qytete të tjera,ndërkohë që janë kryer edhe verifikimet e dokumentacioneve të mjeteve dhe lejet e drejtimit.
Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se deri më tani janë kontrolluar rreth 640 automjete dhe janë vendosur edhe masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe të dehur në timon, të cilët kanë qënë të shumtë.
Gjatë këtij aksioni, policia ka ushtruar kontroll fizik për armë, drogë e sende të tjera të kundërligjshme mbi 329 shtetas, ndërkohë që mësohet se janë gjobitur 82 drejtues mjetesh ,që janë gjetur të dehur në timon.
Mësohet se postblloqet policore do të vijojnë të qëndrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit, ndërkohë që policia e Beratit do të japë së shpejti edhe rezultatet e plota të këtij aksioni./vizionplus.tv