“Deklaratat e Ramës u diktuan nga Beogradi”, Spiropali-Berishës: Ne i kemi dalë për zot Kosovës

1 year ago 17
11:53 05/10/2023

Seanca plenare e sotme në Kuvendin e Shqipërisë po shoqërohet me debate mes grupeve parlamentare.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka kërkuar që të miratohet debati për Kosovën në lidhje me rezolutën teksa shton se po kërkojnë që të dënojnë deklaratat e kryeministrit Rama për të cilat thotë se sipas tij, janë të diktuara nga Beogradi.

Për Parlamentin thotë se është kthyer në një tempull albanofonike.

Sali Berisha: Kjo është një seancë albanofobike. Kjo është një seancë antishqiptare. Këta shtrojnë tezën se ne po shfrytëzojmë Kosovën. Ç’po kërkojmë ne këtu? Ne po kërkojmë rezolutën dhe debatin për Kosovën, të cilën Parlamenti Europian e bëri pardje. Tani, t’u shtroj një pyetje unë ju: kush duhej të ishte parlamenti që duhej të reagonte më shpejt? A nuk duhej të ishte parlamenti i Shqipërisë? Pse nuk reagoi?  Sepse Edi Rama nuk e lejon. Sepse Edi Rama shtron në Tiranë dhe në arenën ndërkombëtare, tezat e Aleksandër Vuçiçit. Edi Rama deklaroi në Financial Times, dhe po sqaroj këtu, deklaroi se e korrigjoi, por nuk korrigjoi shprehjen ‘no mens land’, që veriu i Kosovës është toka e askujt. Çfarë deklaroi dje ministri federal i kabinetit të Olaf Scholz? Vuçiçi dërgoi trupat në Kosovë njëlloj si Putini në Krime.Po si ka mundësi të jeni të tillë? Juve ju ka verbuar sytë albanofobia. Çfarë shqiptarësh jeni ju që mbroni këto qëndrime? Po a ka qëndrime më armiqësore ndaj Kosovës se këto? Po çfarë po keqpërdorim ne për qëllime tonat? Po kërkojmë debatin për Kosovën, të cilin Parlamenti Europian e bëri tre ditësh para nesh. Po kërkojmë të dënojmë deklaratat e Edi Ramës, se ato janë deklarata të diktuara kryekëput nga Beogradi.  A ka turp më të madh për këtë parlament. Ky sot është tempulli albanofobie. Është shpellë albanofobie. Është turp albanofobie!

Deklaratës së Berishës i është kundërpërgjigjur ministrja Elisa Spiropali, e cila i ka thënë se mazhoranca i ka dalë për zot gjithmonë Kosovës në çdo rast.

Elisa Spiropali: Ne jemi ato shqiptarë që nuk kandidojmë si “nacionalistë” në bashkitë e vendit tonë. Për herë të parë kemi organizuar samitin BE dhe Ballkani Perëndimor me të gjitha vendet. Për pak ditësh do të presim samitin e Berlinit në Tiranë. Ne i kemi dalë për zot Kosovës në ulësen e Këshillit të Sigurimit, një arritje historike për Shqipërinë, fyrt i punës tonë për t’i rritur dinjitetin Shqipërisë. I kemi qëndruar interesit kombëtar në çdo kohë. Ne do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE. Ne kemi kryesuar Presidencën e OSBE-së, nuk kemi turpëruar kurrë Shqipërinë. Këta shqiptarë jemi ne, se cilët shqiptarë jeni ju, verdiktin e ka dhënë vota e këtij populli dhe aleatit tonë më të madh./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article