Derbi Madonnina turbullon ujërat

1 year ago 16
Reklamë
14:40 17/09/2023

Inzaghi ‘makth’ për Milanin, Pioli shmang fajet, zhgënjen Napoli

Fitorja në derbin e Milanos ka rritur entuziasmin në kampin e Interit. Trajneri Simone Inzagi theksoi se ky triumf është vetëm një shenjë se rruga në këtë sezon do të jetë e gjatë dhe me plot ritëm. Tekniku italian konfirmon cilësitë e tij në stol, pasi Milan po kthehet në viktimën e tij të preferuar. Në 5 takimet e fundit mes Europës, kampionatit dhe Kupës, Inter është ai që ka dal triumfator. Zikaltërit kanë fituar të pesë përballjet, me një bilanc tejet pozitiv, 12 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar, pikërisht ky i Leao.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur për tifozët tanë, qytetin, presidentin. Ne fituam katër derbi sezonin e kaluar, duke na dhënë një trofe dhe mundësinë për të luajtur në finalen e Champions League në Stamboll. Ky është vetëm një hap dhe ka një rrugë shumë të gjatë për të bërë këtë sezon. Tani duhet të dëshmojmë se jemi gati për gjithçka që na del përpara.”

Ndërkaq në krahun tjetër, hijet e makthit të vitit të shkuar po përjetohen shumë. Tifozët kërkojnë reagim nga skuadra, teksa trajneri Stefano Pioli ka refuzuar t’i shpreh falje për atë paraqitje negative. “A mendoni se ne humbëm qëllimisht” ishte një nga përgjigjet e Piolit në konferencën për shtyp duke lënë të kuptohet se atmosfera në skuadrën kuqezi nuk është ajo e duhura. Të humbësh një derbi në fillim të sezonit mund të ndikojë jo pak në vazhdimësi dhe Milan shpreson që ky përjetim të mos ketë fatin e sezonit të shkuar.

“Interi është i fortë, kjo nuk është befasuese, por rezultati është shumë i rëndë duke marrë parasysh performancën tonë. Unë nuk jam dakord me këtë ide për t’u kërkuar falje tifozëve. Mendoni se humbëm 5-1 nga Interi qëllimisht dhe humbëm Derbin? Jemi të zhgënjyer, ashtu siç janë edhe tifozët. Ju duhet të kërkoni falje vetëm kur bëni diçka të gabuar me qëllim.”

Inter blindon vendin e parë pas 4 javëve të para, me 12 pikë, ndërsa ndjekësi më i afërt mbetet Juventusi në kuotën e 10 pikëve. Në këto katër javë të para ka zhgënjyer Napoli, që dështoi për të fituar takimin e dytë radhazi. Këtë herë, kampionët e Italisë u ndalën në barazim 2-2 nga Xhenoa, një duel që deri në minutën e 84-të po e humbisnin. Raspadori dhe Politano i dhanë një pikë skuadrës jugore, që nga 12 të mundshme ka grumbulluar vetëm 7 pikë.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article