Dështon Komisioni i Reformës Zgjedhore. Opozita bllokon sallën, PS: Vijojmë online

8 months ago 24
15:38 06/02/2024

Ende pa nisur mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore nisën përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës bllokuan fillimisht hyrjen në mbledhje të socialistëve. Ndërsa Garda nuk lejonte një pjesë të opozitarëve për shkak se një pjesë e tyre nuk ishin anëtarë të saj.

Pas disa minutash rezistencë beteja u zhvendos brenda sallës së Komisionit. Ndërsa nuk munguan debatet ndërmjet bashkëkryetarit socialist Damin Gjiknuri dhe demokratit Flamur Noka.

Noka: A ke qenë në opozitë ti, a ke pasur bashkëkryetar? Pse nuk na lë edhe neve ta kemi.

Gjiknuri: Po, e keni bashkëkryetarin tuaj, vetë e keni zgjedhur.

Noka: Jo, atë e ka zgjedhur Edi Rama.

Demokrati Oerd Bylykbashi tha se opozita po kërkon që kjo reformë të mos bëhet me njerëz emëruar, pasi përherë ka pasur konsensus politik mes palëve.

“Komisioni në të shkuarën ka qenë kanal që ka shfryrë krizën politike. Rama kërkon krizë shtesë sepse ka hall për skandalet që po i plasin. Me kërkesë të atyre që i ka emëruar në krye të opozitës, nuk mundësohet mbajtja e mbledhjes sot”, u shpreh Bylykbashi.

Ndërsa socialisti Gjiknuri tha se opozita nuk dëshiron të realizohet Reforma Zgjedhore, duke përdorur të njëjtin skenar bllokimi.

“Skenat i patë, përsëri e bënë të pamundur, mundësinë për tu shprehur organizatat. Habitem për një gjë, dy opozitat që duhet të jenë të interesuara nuk po bëjnë asgjë për ta çuar para këtë proces. Absurditet, mazhoranca është komode edhe me këtë kod zgjedhor”, tha Gjiknuri.

Pas këtyre debateve që zgjatën rreth 1 orë, socialistët u larguan dhe vendosën që mbledhja të zhvillohet online, si radhën e shkuar. Dita është përcaktuar për të premten.

Por bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Enkelejd Alibeaj, nuk ka pasur dakordësi për këtë datë. Ndërsa akuzon PS-në e pjesën tjetër të demokratëve se nuk e duan reformën. Ai mohoi se po bëhet pazar me socialistët për Reformën Zgjedhore.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article