Dhuna mes tifozëve në Greqi, qeveria miraton masa të rrepta për të frenuar fenomenin

10 months ago 12

Pesë ditë pas incidenteve të dhunshme mes tifozëve dhe forcave të policisë në Athinë, gjatë të cilave mbeti i plagosur rëndë një efektiv i policisë, qeveria greke ka shpallur masa të reja edhe më të rrepta për të luftuar dhunën brenda dhe jashtë stadiumeve dhe ambienteve sportive.

Konkretisht është vendosur që të gjitha ndeshjet e Superligës 1dhe 2 do të zhvillohen pa tifozë, me dyer të mbyllura, për dy muaj dhe nëse është e nevojshme edhe ndeshjet europiane.

Masat në fjalë mund të zgjatet përtej 12 shkurtit, nëse skuadrat dështojnë deri në atë datë të instalojnë kamerat  dhe sistemet e identifikimit elektronik për hyrjen e tifozëve të tyre në stadiume. Gjithashtu automatike do të jenë edhe dënimet ndaj ekipeve në rastet e incidenteve të dhunshme përtej atyre të parashikuara nga drejtësia.

“Sulmi vrasës ndaj punonjësit të policisë nuk është incidenti i parë i dhunës ekstreme të tifozëve. Prej shumë vitesh kriminelët me petkun e tifozit kryejnë krime të rënda duke plagosur e duke vrarë”, tha Pavlos Marinakis, zëdhënësi i qeverisë.

Para dy ditësh organet greke kanë arrestuar një 18 vjeçar i cili ka pranuar se ditën e enjte në mbrëmje jashtë pallatit të sportit në Renti të Athinës, gjatë incidenteve të dhunshme të shkaktuara gjatë ndeshjes së volejbollit Panathinaikos-Olumpiakos , ka hedhur në drejtim të një polici një tip granate zjarri të marinës detare .

Efektivi policor është plagosur rëndë, është dërguar urgjentisht në spital, duke iu nënshtruar operacioneve të njëpasnjëshme dhe ndodhet ende në gjendje kome me rrezik për jetën,ndërsa më shumë se 450 persona u mbajtën për disa orë në polici.

Greqia është tronditur nga dhuna mes tifozëve në muajin gusht  kur rreth 150  huliganë kroatë të Dinamos së Zagrebit janë përleshur me ata të AEK-ut dhe gjatë incidenteve ka humbur jetën një 29-vjeçar grek.

Gjithashtu vitin e kaluar në Selanik rreth 12 huliganë të PAOK-ut mes tyre edhe tifozë me origjinë shqiptare, kanë qëlluar me thikë dhe sende të forta tre të rinj, duke i marrë jetën 19-vjeçarit Alkis Kampanos.

Top Channel

Read Entire Article