Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në Shkodër, ku viktimë mbeti Hamza Lici, ndërsa është plagosur rëndë Arlind Bushati.
Gjithashtu viktimë, si pasojë e atentatit ka mbetur edhe Flutura Basha, një qytetare e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen, por u godit nga automjeti ku ndodhej viktima dhe i plagosuri. Gjithashtu bashkëshorti i Flutura Bashës mbeti i plagosur rëndë, pasi u godit nga i njëhti automjet.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta, duke zbardhur dinamikën e ngjarjes, referuar burimeve policore, tha se automjeti ku ndodhej Lici dhe Bushati, u godit me breshëri arme zjarri nga një tjetër automjet, në hyrje të Dobracit.
Ai tha se dy grupe speciale të RENEA janë futur në fshatin Dobraç, po ushtrojnë kontrolle dhe po marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Duke folur për ngjarjen e rëndë, Çelmeta tha se në dallim nga ngjarje të tilla kriminale, ku pas atentateve mafioze, digjet automjeti i autorëve, në rastin konkret nuk ka pasur ndonjë njoftim për automjet të djegur. Në këtë kuadër, gazetari i News24 tha se dyshohet se pas atentatit, automjeti i autorëve është futur në fshatin Dobraç dhe mund të jetë fshehur atje.
Çelmeta tha se grupi hetimor po vijon mbledhjen e provave në automjetin ku ndodhej Lici dhe Bushati, ku gjithashtu janë gjetur armë zjarri. Gazetari tha se këto armë që janë gjetur janë dërguar në laboratorin shkencor, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës, për të parë nëse janë përdorur ose jo. Kjo do të zbardhë nëse ka pasur ose jo shkëmbim zjarri mes autorëve të dyshuar dhe personave që ndodheshin në automjetin që iu bë atentat.
Mendohet se objektiv i atentatit ishte Hamza Lici, vëllai i Ibraim Licit, një prej emrave të lakuar për shumë ngjarje kriminale në Shkodër.
Ndërkohë Arlind Bushati, i cili mbeti i plagosur në atentatin e pasdites së sotme, 3 javë më parë denoncoi se ishte kërcënuar nga dy persona të maskuar. Në këto kushte nuk përjashtohet pista që objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Bushati, sikundër edhe Lici.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb