Një punonjës i grupit të inspektimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive është dhunuar sot fizikisht, në zyrat e institucionit, nga përfaqësuesi i një subjekti ISP (Internet Service Provider), i cili ishte ndëshkuar për aktivitet të palicencuar nga AMA.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila në një reagim në profilin e saj, në Facebook ka dënuar rastin. Në reagimin e Krasniqit thuhet se subjekti ISP ishte dënuar sipas ligjit, për shkak të ushtrimit të aktivitetit të palicencuar nga AMA, gjë që ka sjellë edhe ndodhinë e rëndë të dhunimit të një prej punonjësve, për më tepër në krye të detyrës.
Më poshtë reagimi i plotë i kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi:
Dënoj me forcë dhunën e ushtruar sot ndaj një punonjësi të AMA-s, në ambjentet e institucionit, nga përfaqësuesi i një subjekti ISP, i ndëshkuar sipas ligjit, për aktivitet të palicencuar nga AMA.
Si burim i shkeljeve më të mëdha ligjore, sidomos transmetimeve pa licence apo piraterisë së përmbajtjeve audiovizive, subjektet ISP janë prej kohësh nën vëzhgimin e rreptë të ekipeve tona të punës. Çdo rast i paligjshëm është ndëshkuar sipas legjislacionit në fuqi.
Sot, një shkelës i ligjit ka dhunuar fizikisht një prej anëtarëve të ekipit të inspektimit, i cili ishte në krye te detyrës.
Shpreh bindjen dhe besimin se institucionet e rendit dhe drejtësisë do të bëjnë më së miri punën e tyre, për këtë incident të turpshëm dhe të paprecedent.
Rregullimi i tregut audioviziv, ligjshmëria e tij, lufta kundër piraterisë në të gjitha format e shfaqjes së saj, është misioni ynë dhe puna jonë e çdo dite. Prandaj për individë të tillë kam vetëm një mesazh: Çdo shkelës do të marrë dënimin sipas ligjit.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb