Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka treguar një bisedë me Sali Berishën, të ndodhur disa vite më parë kur prokurore e përgjithshme ishte Ina Rama.
Meta thotë se Sali Berisha e kishte vënë në dijeni se prokurorja e asaj kohë, Ina Rama kishte marrë urdhër për ta arrestuar.
Ndërkohë gjatë bisedës Meta thotë se Berishës i kishte garantuar se “do ti japë vota nga edhe burgu për ta mundur Edi Ramën nga bashkia e Tiranës”.
“Më merr në telefon, isha në Durrës. Ku je më thotë? Në Durrës i thashë. Në çdo kohë që vjen në Tiranë unë në zyrë jam. Nuk ka ndonjë urgjencë, por po pate kohë hajde. E kuptova unë që kishte një shqetësim dhe vajta. Dëgjo më tha, për atë ish prokuroren, Ina Rama, duhet vëmendje se ajo ka marrë urdhër të të fusë në burg ty. Po shumë mirë i thashë, çfarë problemi ka?! Po ka çuar ato videot dhe audiot në Angli. I thashë: Doktor merre me qetësi, ata duan të të nxehin ty. Unë i thashë të premtoj nga burgu do të jap shumë më tepër vota ty për zgjedhjet dhe Edi Rama do ikë nga kryetari i bashkisë, ti mos u shqetëso për këtë”, tregoi Meta në emisionin “Opinion”.
Po ashtu, Ilir Meta ngriti dyshime se kreu i SPAK, Altin Dumani është takuar me McGonigal.
“SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019 sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës”, tha Meta.
I pyetur nëse ai është në hetim nga SPAK, Meta tha: “As më intereson fare, SPAKU gjithashtu është në hetim nga unë. SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës, sepse bën sikur arreston drejtorë për të mbrojtur kryebashkiakun e Tiranës që të gjithë e dinë që ka rrëmbyer kompetencën e këshillit bashkiak”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb