Emisioni Në Shënjestër i gazetares Klodiana Lala në News24 ka trajtuar atë që ka ndodhur me Himarën, e cila prej më shumë se 1 viti nuk ka një kryebashkiak të zgjedhur, ndërsa në 4 gusht pritet të votohet për atë që do të drejtojë një prej bashkive, që ka prodhuar shumë tensione, qoftë edhe artificiale.
Himara, që nuk gjen qetësi edhe atëherë kur tonet nacionaliste fillojnë e tërhiqen dhe jeta duhet t’i rikthehet normalitetit.
Kur qytetarët kanë nevojë të marrin shërbim, por kur politika, duket se i ka mbërthyer në një retorikë të fortë me vetveten, por ku në krahun tjetër vazhdon të prodhojë drejtues të korruptuar dhe paralelisht destabilitet, në një nga zonat më të nxehta të Shqipërisë.
Me një kryetar të zgjedhur si Alfred Beleri në burg, i dënuar për krim zgjedhor, apo një ish-kryetar bashkie, Jorgo Goro sot në hetim dhe i arrestuar me urdhër nga SPAK si i dyshuar për përshirje në një skemë tjetërsimi pronash në bregdetin e shumëlakmuar.
Pasi në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, kishte mundësuar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të një shoqërie të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, ish ministre e Jashtme.
I njëjti që kishte fituar edhe statusin e investitorit strategjik të dhënë nga qeveria Rama.
Por si kur të mos mjaftonin këto dy emra kryebashkiakësh, të cilët si në asnjë rast të ngjashëm, i hapën në një farë mënyre varrin politik njëri-tjetrit, njëri i mbështetur nga maxhoranca socialiste që humbi zgjedhjet në Himarë dhe që kërkoi revansh me burgosjen për krim zgjedhor të Belerit, dhe ky i fundit që nga qelia denoncoi rivalin e tij Goro për falsifikim të dokumenteve të pronave, një rast i ngjashëm duket se ndodh tashmë me ata që janë kryetarët e komanduar të Bashkisë Himarë.
Të cilët në thelb duhet të ishin njerëzit më të ndershëm, më të papërlyer, për të drejtuar punët në këtë bashki derisa të zgjidhej një kryebashkiak i ri, por që në fakt nuk ka rezultuar aspak kështu.
Pasi mesa duket vesi për të futur duart në pronat e Himarës, qenka një sëmundje që kaploka pothuaj çdo politikan në këtë zonë të Shqipërisë të njohur për bregdetin e saj të lakmueshëm.
Ku është përfolur shpesh për tjetërsime të shumta pronash, ku të përfshirë janë edhe politikanë në Tiranë.
Të cilët duke shfrytëzuar pozitën e tyre vendimarrëse, kanë mundur të shtrijnë duart e tyre edhe në këtë pjesë të rivierës shqiptare.
Gjë që është parë edhe te shkrirja e Kadastrës së këtij qyteti, ku drejtuesit e saj kanë dalë shpesh të përfshirë në këtë aferë.
Ashtu si edhe drejtuesi aktual i komanduar i Bashkisë Himarë, Arqile Bollano, i cili u komandua në këtë detyrë vetëm një muaj më parë, pas dorëheqjes nga drejtimi i Bashkisë problematike, të Blerina Balas.
Arqile Bollano dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të mëdha toke në bregdet.
Por si i pëfitoi Bollano, mijëra metra katrorë tokë në Himarë?
Sipas të dhënave, dosja ndaj Arqile Bollanos në dyshimet se ka përfituar padrejtësisht pronë u trasferua nga prokuroria e Vlorës në SPAK një muaj përpara se ai të mandatohej për të qenë kryetar i komanduar i Himarës.
Dosja Hetimore
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Hetimet zbuluan se një sërë procedurash për dhënien e tokës familjeve bujqësore nga Bashkia Himarë janë kryer në shkelje të ligjit dhe një prej familjeve përfituese ishte ajo e Arqile Bollanos.
Por si mundi familja Bollano, në këtë rast e kryetarit aktual të komanduar të Bashkisë Himarë, të shtinte në dorë këtë sipërfaqe të madhe toke?
Cila ishte procedura që u ndoq dhe a ushtroi kjo familje pushtetin e saj polttik, për të përfituar këtë pronë me vlerë qindra mijë euro?
Pse Prokuroria e Vlorës e mbajti kaq gjatë në sirtar këtë dosje dhe nuk e çoi për gjykim eksponentin e lartë politik të maxhorancës në Himarë.
A ishte ky një shpërblim që Bollano mori për kontributin e tij në punët e partisë?
Sipas dosjes hetimore gjithcka e ka zanafillën në vitin 2015.
Në kohën kur në bregdetin e Himarës nis procedura për për plotësimin me tokë, të familjeve që në vitin 1992, nga ndarja që iu bë këtë kohë sipas ligjit 7501 të tokave bujqësore, rezulton se kishin marrë tokë më pak se çfarë u takonte.
Ky mesa duket ishte edhe momenti i përfitimit nga famulja Bollano por edhe shumë të tjera, të cilat nëpërmjet kësaj procedure, përfitojnë mijëra metra katorë në mënyrë abuzive.
Dosja Hetimore
Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi Arqile Bollano ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, datë 25 Gusht 2016, një sipërfaqe toke prej 4 263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi Arqile Bollano është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin ‘Për Tokën’ sipas AMTP, datë 8 Mars 1996, me sipërfaqe totale 7 700 m2.
E gjithë kjo procedurë e cila më pas përfundoi në një aferë korruptive, u krye në sytë e Këshillit Bashkiak të Himarës, që në vitin 2015 drejtohej nga Jorgo Goro.
Këshill Bashkiak që pasi shqyrtonte kërkesat e familjeve që pretendonin se në vitin 1992 kishin marrë më pak tokë bujqësore se çduhej, vendoste edhe se kush do të ishin përfituesit.
Në këtë rast edhe familja Bollano, pavarësisht se nga hetimet del se kjo tokë nuk i takonte aspak.
Por mesa duket duke shfrytëzuar afrimitetin me Partinë Socialiste që jo vetëm ishte në pushtet, por drejtonte edhe Bashkinë Himarë si dhe Këshillin Bashkiak, mundi ta kishte më të lehtë për ta shtënë në dorë këtë sipërfaqe toke.
Grafikë
Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Jorgo Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi Arqile Bollano dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim ligjin ‘Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore’, i ndryshuar, si dhe VKM ‘Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore’, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Për këto arsye, ndaj Jorgo Goros krahas masës së parë të sigurisë për rastin e tjetërsimit të pronës së përfituar nga ish-deputeti socialist Artan Gaçi me kërkesë të SPAK u caktua nga gjykata një mase e re sigurie ‘arrest me burg’.
SPAK ndërkohë po heton për të identifikuar përgjegjësinë e personave të tjerë të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave, përfshirë dhe përfituesin e pronës Arqile Bollano.
Por siç e thamë Bollano nuk është as i pari dhe as i fundit nga zyrtarët lokalë në Himarë të lidhur me Partinë Socialiste, që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të padrejtë pronë në bregdet.
Në një nga zonat më të përfolura për falsifikim të dokumenteve të pronësisë.
Jorgo Goro, i cili drejtoi për tre mandate Bashkinë Himarë dhe pretendoi edhe një të katërt përballë Fredi Belerit në zgjedhjet e vitit 2023, është një tjetër kryebashkiak që ndodhet nën masën e arresti me burg.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ka kryer tjetërsimin e sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave shtet në Himarë
Kjo në favor të personave të lidhur me pushtetin, siç është edhe përfitimi nga shoqëria në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit aktual të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Të cilit, iu sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, 5 512 m2 truall, në zonën e lakmuar bregdetare të fshatit Gjilek në Dhërmi.
Sekuestro preventive e cila u vendos pas dyshimeve të krijuara nga SPAK, për falsifikim të akteve të marrjes në pronësi të kësaj parcele toke.
Ku i pari që trokiti në dyert e Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2021, ishte Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona.
Ose më saktë një pjesë e pronës mbi të cilën Artan Gaçi, ishte shpallur ‘investitor strategjik’ dhe kishte nisur ndërtimin e një resorti luksoz.
Mihallaq Bonjaku
Maj 2021
Lidhur mbi mënyrën e fitimit të pronësisë si dhe titullit të pronësisë së shtetasit Foto Mëhilli, pretendimi im është se akti i marrjes së tokës në pronësi me nr.9677 që bën fjalë për një sipërfaqe prej 5 512 m2 të familjes Mëhilli, është falsifikuar.
Nga krahasimi i dokumentacionit të listës së përfituesve të tokës bujqësore në fshatin Gjilek, Dhërmi, shtetasi Foto Mëhilli ka përfituar tokë në pronësi me sipërfaqe totale prej 1200 m2, e cila për më tepër ka vendodhje tjetër me atë që ai pretendon sot.
Për këtë arsye kam depozituar ndër të tjera edhe dokumentin plan rilevimi, datë hartimi muaji shkurt 2019.
Por ndërsa Mihallaq Bonjaku, duket se i kishte humbur shpresat te drejtësia, nga brenda qelisë ku ndodhej i ndaluar me urdhër të SPAK për krim zgjedhor, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, kallëzoi biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshorten e tij Olta Xhaçka dhe kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.
SPAK pas arrestimit të Goros dhe firmosjes së masave për disa zyrtarë të tjerë,
Prokuroria në muajin maj të këtij viti njoftoi se kishte sekuestruar edhe sipërfaqen tjetër prej 5080 metra katrorë tokë, mbi të cilën Artan Gaçi po zhvillon investimin strategjik.
SPAK
Ka dyshime se personat nën hetim kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.
Ky planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.
Pra, duke përfshirë edhe Fredi Belerin, i dënuar për krim zgjedhor dhe dy drejtuesit e tjerë të Bashkisë, në këtë rast Goro i ndaluar dhe Bollano në hetim, të dy për tjetërsim të pronave në bregdet, Himara në këto dy vite më shumë ka prodhuar pranga se sa shërbim për qytetarët.
Aq sa edhe vetë politika këtu në Tiranë e ka të vështirë të gjejë një drejtues të duhur, të papërlyer në punë të tilla, për Himarën që edhe pa këtë korrupsion është mjaftueshëm e nxehtë si zonë.
Por që mesa duket edhe vetë politikës i interesojnë të tillë personazhe, për ta pasur me të kollajtë për të futur duart e saj të pista në këtë zonë, e cila është pasuri e lakmueshme për këdo.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb