Dumani i SPAK-ut i pari me 50%, ndërkohë 40% të pakënaqur me të dyja krahët e politikës

10 months ago 27

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh që zhvillova për Report TV (https://shqiptarja.com/lajm/sonte-ne-repolitix-sondazhi-politik-per-muajin-dhjetor-kush-jane-personalitetet-me-me-ndikim-dhe-ceshtjet-me-te-nxehta-per-vitin-2023#739443 ), më rezultoi se ndër zyrtarët/politikanët më të vlerësuar për ndikim në jetën e vendit gjatë këtij viti, kreu i SPAK-ut Dumani ishte më i vlerësuari me 50.1%, i ndjekur në distancë nga Kryeministri Rama. Nga ana tjetër rreth 40% e të anketuarve ishin të pakënaqur si me punën e qeverisë, ashtu edhe me aktivitetin e opozitës në tërësi.

Të ndërthurura, këto rezultate na tregojnë se pakënaqësia popullore ndaj të dyja krahëve të politikës kanalizohet tek vlerësimi/shpresa për SPAK-un e drejtuar nga Dumani, që i ka futur një marsh më të lartë këtë vit hetimit të peshqëve të mëdhenj.

Para se Dumani të vinte në krye të SPAK-ut, ky i fundit ishte marrë me arka peshqish që dikush i jepte si bakshish ndonjë zv.ministreje të parëndësishme, apo me shpërdorimet e ndonjë ministri periferik. Ndërsa këtë vit SPAK-u ka hetuar apo proceduar ish-kryeministra, ish zv-kryeministra, ministra zv.ministra, kryebashkiakë e shumë zyrtarë të tjerë. Dosje të mëdha janë hapur nga SPAK-u (ku përfshihen disa nga emrat më të rëndësishëm të politikës) si “Vrasjet e 21 janarit në bulevard”, “Çështja Gërdeci”, “Çështja e ish-klubit Partizani”, “Çështja e inceneratorëve”, “Tenderat e Ministrisë së Shëndetsisë”, e “Çështja Çez-DIA”.

Pikërisht ky aktivitet i lartë i SPAK-ut këtë vit mund t’i ketë bërë anketuesit e thjeshtë të sondazhit tim që ta konsiderojnë Dumanin si “Personazhin e Vitit 2023”, për sa i përket ndikimit në jetën e vendit. Dhe jo rastësisht, shumica dërrmuese e të anketuarve që e kanë zgjedhur atë për këtë titull, janë të pakënaqur me të dyja krahët e politikës…

Read Entire Article