“E çuditshme pse perëndimi toleron Vuçiqin dhe e dënon Kurtin”, publicisti serb ‘zbulon’ planin e Vuçiqit për urën e Ibrit

3 weeks ago 11
Reklamë

Ura e Ibrit vazhdon të jetë e mbyllur edhe pas testimit për stabilitetin infrastrukturor të saj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës i Kosovës, Hysen Durmishi, ka thënë të marten e kaluar se, sipas një raporti fillestar, ura mbi lumin Ibër në veri është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Edhe pas një jave që nga publikimi i raportit se ura është stabile dhe funksionale, hapja e saj nuk është bërë dhe dyshime janë mos faktori ndërkombëtar dhe kundërshtimet e tyre tashmë po ndikojnë në “zmbrapsjen”, e qeverisë.

Për urën e Ibrit, kundërshtimet e ndërkombëtarëve, kërcënimet e Serbisë për destablizim në rast të hapjes, ka folur për “Bota sot”, publicisti serb Zlatoje Martinov.

Martinov në një prononcim për gazetën ka thënë se ura kryesore nuk është e mbyllur për këmbësorët, kështu serbët dhe shqiptarët normalisht mund të kalojnë urën kryesore në veri të qytetit dhe anasjelltas.

Por, sipas tij, Vuçiq në përputhje me politikën e tij përçarëse në Ballkan përdor gjëra margjinale për të ndërlikuar qëllimisht situatën politike.

“Serbia zyrtare e konsideron hapjen e urës mbi Ibër si “provokim të Kurtit”, edhe pse kalimi i veturave dhe kamionëve mbi urat e tjera në Mitrovicë ka kohë që është normalizuar. Vetë ura kryesore nuk është e mbyllur për këmbësorët, kështu që serbët dhe shqiptarët normalisht kalojnë urën kryesore nga pjesa jugore në veri të qytetit dhe anasjelltas. Megjithatë, Vuçiq, në përputhje me politikën e tij përçarëse në Ballkan, përdor gjëra margjinale, dhe në këtë rast simbolike, për të ndërlikuar qëllimisht situatën politike”, deklaron Martinov.

Image

Zlatoje Martinov

Sipas tij, Vuçiq ka bërë njëjt edhe me targat.

“ Ai mund të ekzistojë politikisht vetëm në kushtet e dramës së nxitur artificialisht. E njëjta gjë ishte dikur edhe me targat, një çështje krejtësisht jopolitike, thjesht teknike dhe jopraktike, ndaj thuajse “nuk shkuam në luftë””, pohon publicisti.

Kundër hapjes së urë së Ibrit, janë BE dhe SHBA, por edhe KFOR-i.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për median se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, u shpreh ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Ndërsa, nga BE kërkon që çështja e urës të diskutohet në dialog dhe në rast të hapjes së saj do të ketë masa më të ashpra.

Por, ata nuk pranojnë se janë kundër hapjes së urës.

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, javën e kaluar ka kundërshtuar zërat se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit, duke i quajtur këto pretendime të pavërteta dhe çorientuese.

Në një postim në platformën “X”, Lajçak ka theksuar se BE-ja gjithmonë ka insistuar që çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar qëndrim janë të pavërteta dhe çorientuese,” ka shkruar ai.

Publicisti serb, Zlatoje Martinov, thotë se është e çuditshme sesi perëndimi jo vetëm që i toleron provokimet e Vuçiqit, por në vend se ta dënojnë atë e dënojnë Kurtin.

Ai thotë se BE dhe SHBA tolerojnë në masë të madhe.

“E çuditshmja është se Perëndimi jo vetëm që i toleron provokimet e Vuçiqit, por në vend që ta dënojnë, e dënojnë Kurtin! Merrni vetëm aktin terrorist të 24 shtatorit të një viti më parë në Banjska. Radojcic, i cili bën “punë të pista” për Vuçiqin, jo vetëm që nuk është arrestuar, por është duke ecur lirshëm në Rashkë dhe në kufirin me Kisovën me rreth pesëdhjetë burra të armatosur, kryesisht ish-policë të Kosovës me kombësi serbe, të cilët ikën në Serbi pas demonstratave të tyre (dorëheqjet). Edhe BE-ja edhe SHBA-ja i tolerojnë të gjitha këto në masë të madhe”, thekson publicisti.

Tutje, ai ka shtuar se urat i bashkojnë njerëzit dhe Vuçiq do të donte t’i ndante ata.

“Mendimi im personal është si vijon: urat i bashkojnë njerëzit dhe Vuçiq do të donte t'i ndante ata. Dhe kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me politikën e BE-së dhe SHBA-së. E megjithatë ata e tolerojnë Vuçiqin me dëshirën për ta larguar atë nga rusët dhe kinezët”, shton Martinov.

Read Entire Article