E Diela Shqiptare – 28 Janar 2024

7 months ago 35
Reklamë
19:23 28/01/2024

#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave” – Ornela vs Albana

Sot “Udha e Shkronjave” mirepret dy konkurente të reja. Albana nga Tirana luan me Ornelën nga Elbasani. Të dyja zonjat janë shumë të apasionuara pas quize-ve, por të shohim deri në fund si do të shkoj kjo sfidë shkronjash.


“Kujdes shëndetin” – Kanceri i gjirit, Liv Hospital


Ka një mesazh për ty – Një mik për ditë të vështira

Antiteza e një emri, Fatmiri: Ditën që ma vendosën arrestuan babain për herë të dytë

Fatmiri ka ardhur nga Kalifornia ku jeton prej thuajse 15 vjetësh për të ftuar dikë  të veçantë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Fillimisht ai nis të ndajë historinë e jetës së tij  në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan e cila nuk ka qenë e lehtë.

Gjatë regjimit të diktaturës, familja e tij vuante nga plagë të forta dhe shpresuan se me lindjen e Fatmirit, do të pasonin të mirat por nuk ndodhi kështu.

Fatmir: Unë rrjedh nga një familje që në atë kohë quhej e deklasuar. Familja ime kishte kaluar ca trauma sepse i kishin internuar dhe disa ishin në mal kundër komunizmit. Babai kishte rënë në burg për herë të parë dhe e  kishin liruar. Atë ditë që më kanë vënë emrin dy komshinjtë, një familje shumë e mirë ma vunë emrin Fatmir që familja të kishte fat tani e mbrapa.

Ardit Gjebrea: Fat të mirë.

Fatmir: Fatmir.

Ardit Gjebrea: Lindi Fatmiri dhe do kemi fat të mirë. Erdhi fati  i mirë?

Fatmir: Pët fat të keq, ashtu siç është emri Fatmir Keqi…

Ardit Gjebrea: Ju e keni mbiemrin Keqi, Fatmir Keqi?

Fatmir: Keqi, antitezë. Atë ditë që më kanë vënë emrin, kanë arrestuar babain për së dyti dhe ka hequr të gjitha ato torturat që hiqeshin në atë kohë në hetuesi sepse i kishte vëllezërit në mal dhe i kërkonin të dorëzonte vëllezërit

“I ndau sinqeriteti i tepërt”, historia e një dashurie të lënë në mes: Sot s’është martuar asnjëri

Miqësia e vërtetë sprovohet në kohërat e vështira. Në historinë e Fatmirit, i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh  Për Ty”, një prej personave që iu gjend pranë pas arrestimit të të atit për herë të dytë dhe shpërnguljes në Fushë-Krujë ishte Marko.

Fatmiri tregon në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se ndryshe nga ai, familja e Markos ishte me biografi të mirë, ai kishte shumë miq dhe një jetë më të rehatshme. Por të gjitha këto avantazhe, Marko i vendosi në të mirë të Fatmirit dhe familjes së tij duke i ndihmuar me nevojat më të vogla, por që për ta vlenin tepër.

Fatmir: Problemi tjetër që ishin ushqimet e tjera, sidomos kafeja, sa ishte kafeja, 50 gramë ose 100 gramë sa mjaftonte për një familje mirëpo ne kishim njerëz të vjetër në shtëpi, nënën e vinin dhe miq, kishte nevojë për kafe. Marku më siguronte një pako ose dy pako në muaj kafe, por ishte nder shumë i madh në atë kohë, nuk e bënte kushdo. Një tjetër aspekt i shoqërisë me Markun ishte… ne luanim shah, dy aktivitete që zbaviteshin njerëzit ishte futbolli dhe shahu. Kur kishte ndonjë ndeshje futbolli të rëndësishme Marku ose më merrte te shtëpia e vet ose shkoja te ndonjë shok tjetër i Markut bashkarisht.

Ardit Gjebrea: Shikonit televizor?

Fatmir: Shikonim ndeshjen, ndërsa kur kishte shah siç ishte atëherë shahu ne luanim 10 vetë grumbull, dy vetë luanin, të tjerët ndikonin dhe Marku nëse luante, unë shkoja aty, çohej dhe ma lironte vendin, “ulu” nëse po luante dikush i thoshte atij “çohu se erdhi Fatmiri, çohu që të ulet ky”.

Miqësia e tyre forcohej gjithnjë e më shumë, por Fatmiri kujton një episod të vështirë në jetën e shokut të tij.

Fatmir: Në ato vite, në ‘88 ose në ‘89, nuk jam i sigurt vitin, ai u fejua me një vajzë nga më të mirat në Fushë-Krujë. Një vajzë jashtëzakonisht e mirë, e sjellshme, një vajzë me të gjitha të mirat. Ishte vajza e një oficeri faktikisht, por unë e njihja, gruaja ime e njihte, kishim marrëdhënie të mira me të dhe Marku u fejua me këtë vajzë. Mirëpo për fatin e keq, ata shumë shpejt u ndanë. Sot ne, nuk besoj se i di njeri motivet, edhe ata vetë nuk e di nëse e dinë por besoj sinqeriteti i tepërt.

Ardit Gjebrea: Ç’do të thotë sinqeriteti i tepërt?

Fatmir: Kur u njohën, ndoshta i kishin bërë muhabetet e veta se si u pëlqyen e u dashuruan se u dashuruan. Mirëpo si duket ndoshta Marku nuk e kishte pyetur a ke pasur ndonjë rast a ndonjë marrëdhënie me ndonjë njeri, a të ka kërkuar njeri? Atë ndërkohë e kishte kërkuar dikush nëpërmjet familjes ndoshta se nuk e di, unë nuk jam i sigurt edhe sot, e kishte kërkuar dikush nëpërmjet familjes, ndoshta kishte pasur një takim me të, nuk jam i sigurt dhe ky e pyeti, ajo i tregoi “ka ardhur dikush të më kërkojë” a ku di unë, “pse nuk më ke thënë” në një kohë që kjo se ka pyetur ajo s’kishte si t’i thoshte. U ndanë dhe sot asnjëri nuk është martuar, as njëri, as tjetri.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk është martuar as ajo, as ky?

Fatmir: As ajo as ky.

Ardit Gjebrea: Ti ke ardhur sot ti bashkosh?

Fatmir: Jo, do ishte mirë, nuk e di nëse mund të bashkohen por atij para ca kohësh i ka vdekur edhe e ëma se me të ëmën rrinte ngaqë vëllai është i ndarë dhe ka qenë dhe i sëmurë me Covid ca kohë kur ra Covid, por tani është mirë.

Ardit Gjebrea: Pra ju e keni ruajtur miqësinë.

Fatmir: Unë e kam ruajtur miqësinë.

Ardit Gjebrea: Edhe pse ke shkuar në Amerikë.

Fatmir: Sa herë që vij, e takoj.

“Po më lodh”, Fatmiri i lutet shokut që të pranojë ftesën për në SHBA: Dua të të prezantoj dikë

Miku i tij më i mirë e ka sjellë Fatmirin nga Kalifornia në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Arsyeja pse ai e ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan është për t’i kthyer në njëfarë mënyre të mirat që Marku i ka bërë familjes së tij gjatë periudhës së diktaturës.

Ata kanë mbetur miq që prej asaj  kohe dhe kanë ruajtur lidhje të forta. Fatmiri gjatë viteve ka krijuar familje, ndërsa Marku ka jetuar vetëm me nënën e tij. Kërkesa e tij për shokun është që ai të pranojë të kalojë disa kohë me të në SHBA por deri më tani ka hasur vështirësi të forta me pranimin e ftesës nga ana e Markut.

Fatmir: Marko, ne kur kemi ardhur në Fushë-Krujë unë kam qenë fëmijë dhe ti ke qenë fëmijë atëherë, nuk njiheshim por… ne e patëm pak të vështirë për arsye se këshilli apo qeveria, pushteti kishte hapur propagandë që këta janë armiq dhe hanë njerëz.

Ardit Gjebrea: E vërtetë është.

Fatmir: Kështu ishte në atë kohë dhe ishte pak e vështirë për ne që ta thyenim opinionin se Fushë-Kruja po rritej dita-ditës, por shyqyr Zotit me anë të shokëve e miqve ai opinion ndryshoi dhe ne u afruam, u miqësuam me shumë njerëz në Fushë-Krujë dhe ti ke qenë një ndër shokët e mi më të mirë, unë kam pasur shumë kohë dhe ti ke pasur më shumë se sa unë, por ti ke qenë ndër më të mirët  për shumë arsye. Unë kam ardhur për një mesazh këtu sot. Ne e kemi bërë aplikimin për vizë në amabsadë. Ti po më lodh shumë që më thua “po, po do shkoj, s’do shkoj” dhe nuk pyet kur e ke datën e paraqitjes. Kur të them që do vish, “jo vij, jo s’vij” dhe je pak tip i vështirë, e kupton? Dua dhe prandaj kam sjellë këtu që të shkosh, të interesohesh për datën e paraqitjes, të shkosh në ambasadë dhe me shpresë të Zotit, ta marrësh vizën, pastaj të tjerat do i mendojmë se si do bëjmë. Si thua?

Mark: Do ta shohim.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Mark: Po  duhet të shihet se edhe druri nuk pritet me një herë.

Ardit Gjebrea: Shiko Mark, Fatmiri ka ardhur këtu dhe thotë kam shumë dëshirë që ta ftoj 2-3 javë Markun të vijë në Amerikë. Ti ke qenë ndonjëherë në Amerikë?

Mark: Jo, s’kam qenë.

Ardit Gjebrea: Nuk je kureshtar të shohësh një botë tjetër, një kontinent  tjetër, me një shok i cili të fton…

Mark: Ashtu është e vërteta, madje i ngeli hatri zoti Ardit se i thashë unë po çfarë ka atje, ka pallate me tulla? “Po”. Po tulla ka këtu i thashë, i shoh këtu. I ngeli hatri.

Ardit Gjebrea: Ai ka gjithë dëshirën që të paktën të të gëzojë. Do dhe i vjen natyrshëm, do dhe insiston që ta bëjë këtë gjë kështu që unë do dfoja shumë që ti të pranoje ftesën e tij,  do doja shumë që ti tregosh datën kur do shkosh të marrësh vizën që edhe ai të jetë i lehtësuar dhe të bëjë planet për të shkuar në Amerikë, pastaj se çfarë do ndodhë atje, ai na e tha. Nuk e di nëse guxoj ta them apo jo…

Fatmir: Po, mund t’ia thuash, ska problem.

Ardit Gjebrea: Ka menduar që të të lidhë me dikë, pse jo.

Fatmir: Ta prezantoj.

Ardit Gjebrea: Ato e dinë apo nuk e dinë?

Fatmir: Njëra e di. Domethënë janë shumë Mark që ta dish që po të presin në Amerikë.

Ardit Gjebrea: Jo, nuk janë shumë.

Fatmir: Zoti Ardit, nuk janë shumë po 2-3 që kam planifikuar unë.

Ardit Gjebrea: E kupton Mark ç’bëhet në Amerikë?

Mark: Po, po.

Ardit Gjebrea: Sa gjëra të bukura të presin! Përtej shakave, Fatmiri dëshiron shumë që ti të shkosh ta gëzosh Fatmirin, familjen e tij por edhe veten tënde.

Mark: Ka një familje të mrekullueshme, një fis të mrekullueshëm.

Ardit Gjebrea: Tani, do t’ia japim fjalën Fatmirit?

Mark: Po… do t’ia japim fjalën.


Ka një mesazh për ty – Ana dhe Mehmeti

Divorci e la me dy fëmijë në moshën 21-vjeçare, Ana: Rigjeta dashurinë me djalin e autobusit

Ana, e moshuara që ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” është e paralizuar prej 5 vitesh. Ajo e nis historinë e saj për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me periudhën e vajzërisë. Brenda 5 vjetësh, Ana u martua, lindi dy fëmijë dhe më pas u divorcua.

Ana: Unë jam e madhja e fëmijëve. U martova me një djalë nga Patosi. Jam martuar në moshën 16-vjeçare. Në moshën 17-vjeçare kam lindur djalin, në 19 kam lindur vajzën, djalë e vajzë. Gjatë viteve pastaj u shfaq xhelozia dhe filluan kontradiktat. U divorcuam.

Ardit Gjebrea: Në çfarë moshe?

Ana: 20 vjeçe, 21 jam ndarë.

Ardit Gjebrea: U ktheve te prindërit.

Ana: Jo, nuk u ktheva.

Ardit Gjebrea: Po ku jetove?

Ana: Në Patos. Erdhi babai për të më marrë dhe unë thashë jo nuk vij se nuk doja t’u bëhesha barrë atyre. Fëmijët i mora unë kështu që jeta ishte një çikë e vështirë, megjithatë e kalova. Pastaj jam njohur me bashkëshortin që kam sot.

Në atë kohë,  Ana jetonte në Patos ndërkohë që punonte në fabrikën e qumështit në Fier. Bashkëshorti i saj ishte nga Greshica e Mallakastrës. Pas përfundimit të ushtrisë ai nuk u kthye më në fshat, por jetonte te motra në Fier dhe punonte në azotikë. Gjatë kohës së lirë, shëtiste me autobus.

Ana: Kisha shoqe një fatorino autobusi se unë punoja nga Patosi në Fier që shkoja te fabrika e qumështit dhe më thotë kjo fatorinoja “pse nuk martohesh?”

Ardit Gjebrea: Është një çun që bredh lart e poshtë kot, ta bëjmë plot!

Ana: Po. I thashë unë jam me dy fëmijë, ça martese dua më? “Jo, je e re” tha, i thashë nuk ka martesë për mua. Më thotë “moj unë kam një djalë që më rri në autobus dhe ai ndoshta ma thotë me shaka o Sava më gjej një nuse o më gjej një nuse”, i thoshte kësaj. I thashë unë nuk e di. “E di çfarë do bëj”, unë tha ajo, “do t’ia tregoj, do t’i them kjo është e do këtë, ka dy fëmijë”. Kështu bëri ajo, unë hipa në autobus se do ikja në shtëpi, ai rrinte te dy stolat e fundit afër fatorinos dhe siç ma thotë ajo më mbrapa “unë nuk i ndahem, jo dy po edhe katër te ketë nuk i ndahem”.

Ardit Gjebrea: Të pëlqeu?

Ana: Po duket më pëlqeu përderisa tha ashtu.

Megjithëse ishte divorcuar, Ana vazhdonte të jetonte në të njëjtën banesë me ish-bashkëshortin dhe dy fëmijët. Kur ai vuri re se në shtëpinë e tyre hynte dikush tjetër u ankua në këshill. Megjithatë përgjigjja që mori ishte se “Ana tashmë ishte gruaja e tij” dhe prej asaj dite, çifti vazhdon të jetojë historinë e tij.

Vrasja pa autor e 17-vjeçarit në ‘97, nëna: Pas një viti e gjetëm në varreza, e njohëm nga flokët

Në moshën 21-vjeçare Ana ishte divorcuar dhe rriste e vetme dy fëmijët e saj. Në një moment të papritur, rigjen dashurinë me Mehmetin, djalin që shëtiste me autobus në kohën e tij të lirë. Ai vendosi që pavarësisht vështirësive, kundërshtimit të familjes e gjithçkaje tjetër, të martohej me Anën.

Pas 7 vitesh martesë, Ana sjell në jetë një djalë dhe nisin problemet e saj shëndetësore. Ajo rendit një mori operacionesh të vështira, por tragjedia e vërtetë ndodhi në vitin e trazirave, 1997. Me lot në sy, Ana rrëfen për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan vrasjen pa autor të djalit të saj 17-vjeçar dhe kërkimet e pareshtura për trupin e tij.

Ana: Hoqa mitrën se kisha mish të huaj dhe para se të hiqja mitrën i thotë doktori burrit që “do heqim mitrën ne, por gruaja nuk do bëjë më fëmijë”. Ai tha “s’ka problem, unë kam tre, nuk kam nevojë për fëmijë”. Kaluan vitet, unë më shumë kam ndenjur nëpër spitale dhe ai e di ç’ka hequr me mua, i ka numëruar pllakat e spitalit në daç në Tiranë, në daç në Fier, kudo sepse pas heqjes së mitrës bëra operacion legenin që vura protezë, pas asaj hoqa tëmthin, pas asaj kam bërë operacion plastik këtu në Tiranë. Këto vuajtjet e spitalit i harruam. Në moshën 17-vjeçare djali im vritet. Në ’97-ën djali im është vrarë.

Ardit Gjebrea: Ishte ai viti i tmerrshëm.

Ana: Ishte gjendje e jashtëzakonshme. S’kishte as ligj, as shtet, as polici, asgjë, s’kishte asgjë atëherë. Se kush e vrau nuk e dimë,  thoshin “shoqëria”, po se kush e vrau e pse ishte ngatërruar, edhe sot e kësaj dite nuk e dimë se ashtu ishte atëherë, vriteshe kot për një fjalë goje. Një vit nuk e dinim se ku ishte. Na gënjenin, na thoshin “e pamë po ikte në Itali, e pamë këtu, e pamë atje” dhe këto fjalë i nxirrnin ata që kishin bërë vrasjen që ne të çorientoheshim, mos të kërkonim dhe mos të thoshim që “kush e vrau?” Megjithatë besim s’kishim që ishte gjallë por burri bridhte nëpër morgë ku dilnin që thoshin “është një person i paidentifikuar”, aty edhe në Sarandë ka vajtur i shkreti, ka parë njerëz të vdekur që mos ishte djali.

Më në fund, shkon te varrezat e Fierit dhe u thotë atyre… “më falni, ka mundësi të më ndihmoni”, u thotë ai, “jo në radhë të parë do ju pyes keni ndonjë person të paidentifikuar këtu në varreza?” I thonë ata “po, kemi një djalë. Do më ndihmoni që ta hapim e ta shikoj sepse mua më ka vdekur një djalë, por unë nuk po e gjej,  nuk di a është i gjallë, a është i vdekur, nuk di ku është”. Një vit ne ishim kështu në ankth, është gjallë, është vdekur, të paktën thoshim “ta gjej të vdekur që ku të vete ta qaj”. Pas një viti, pasi shkon e hap varrin dhe e shikon, ai kishte një shenjë se atë i thashë edhe unë kur erdhi, mos nuk ka qenë djali, “jo” tha, “pse nuk e njoh djalin unë?” Ai këtu mbrapa te floku kishte një pjesë të flokut të bardhë fare, si thinja dhe aty e kishte njohur. “E pashë”, më tha, “sa e hapa e pashë që ishte Florenci. Mbaje veten” tha, “nuk dua të qash do lajmërojmë njerëzit dhe t’i bëjmë ceremoninë se kur u vra nuk ia bëmë dot”.

E paralizuar prej 5 vitesh nga gabimi i mjekëve, Ana: Burri më tha nuk të lë të vuash

Prej 5 vjetësh, Ana gjendet në një karrige me rrota. Historia e saj e vështirë që e rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” ka kaluar midis problemeve të forta shëndetësore dhe tragjedisë së vrasjes së të birit kur ishte vetëm 17 vjeç.

Ajo tregoi se si pas lindjes së djalit rreth 7 vite nga martesa e dytë, iu desh të hiqte mitrën. Më pas vendosi protezë në pjesën e legenit, hoqi tëmthin e më tej iu desh edhe një operacion plastik. Ndër të gjitha këto, më e rënda ndodhi kur humbi këmbët, një episod që e ndan me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Ana: Kur jam operuar në Greqi që jam me karrocë sot, nga proteza e parë që kisha vënë, ajo duhej ndërruar se unë jam rrëzuar kushedi se sa herë dhe ajo duket u dëmtua, kisha dhimbje të papara dhe më thanë doktorët që duhet ndërruar proteza dhe shkuam në Greqi për më mirë. Pasi më vunë protezën, erdhi doktori që më ngriti pas dy ditëve që si do reagoja, si do ecja. Këmba ime nuk funksiononte fare, kishte vdekur nervi, kishin prerë nervin dhe aty kam ulëritur, kam qarë, kam ngritur gjithë spitalin e Greqisë dhe thashë ngela në karrocë, “jo” më tha mua ai, por unë e pashë këmbën që kishte dalë jashtë funksionit. Më tha mua ”do bëjmë një operacion të vogël sepse unë të kam shtypur nervin dhe do ta lirojmë një çikë videon dhe do bëjmë një lidhje nervi pastaj”. Thashë unë mirë. Operacioni tjetër jo që nuk më bënë lidhje nervi mua ata, por më dëmtuan edhe muskujt që kemi 4 muskuj këtu ne, unë s’kam muskuj fare, këmba m’u bë më keq dhe që atëherë unë ngela në karrocë. Më thotë im shoq “mua më vjen keq që do vuash për vete, por unë nuk të lë, do të të nxjerr më shumë se sa të kam nxjerrë kur ke qenë me këmbë të sakta”.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin bashkëshorti?

Ana: Mehmet. Që atë ditë që unë jam në karrocë, ai edhe më përpara më ka shërbyer, e deri më sot, ai njeri nuk e di… Ai lan enët, ai lan çimenton, ai shton tavolinën, ai ngre tavolinën dhe më thotë “mos u mërzit, mua më vjen keq për ty se do vuash ti, por unë edhe me një këmbë të jem unë ty nuk do të të lë që ti të vuash”.

“Sa të jem gjallë, nuk të lë”/I shërben gruas së paralizuar prej 5 vitesh, ajo e surprizon

Jeta e Anës dhe bashkëshortit të saj, Mehmetit nuk ka qenë e lehtë. Fillimisht ai u bë baba për dy fëmijët e saj nga martesa e parë. Më pas, në jetë erdhi djali i tyre që ua vranë në moshën 17-vjeçare dhe trupin ia gjetën pas një viti,  ndërkohë autori nuk dihet as sot e kësaj dite.

Ana ka vuajtur nga probleme të forta shëndetësore dhe prej 5 vitesh gjendet në një karrige me rrota. Por për të gjitha këto vështirësi, kanë qëndruar të fortë duke folur gjuhën e dashurisë. Mehmeti i shërben në çdo moment duke mos e lënë Anën t’i mungojë asgjë.

Për të gjitha këto arsye, ajo e  ka ftuar sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” që ta falenderojë publikisht përmes dritares së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Ana: Zemër, ti meriton shumë, më shumë se kaq, unë kaq kam mundësi. Ti meriton që unë edhe të ulem në gjunjë…

Mehmet:Jo, në asnjë mënyrë!

Ana: Të të falenderoj për çdo gjë që ke bërë sepse je i veçantë. Të kujtohet kur ai që shiste pica me motorr, na kapi neve dhe të tha ty “o xhaxha, nuk lodhesh ti që bredh kaq shumë? Unë jam me motorr dhe lodhem, ti nuk lodhesh”, sepse ti je i palodhur për mua, më bredh gjithë rrugicat e Fierit, unë me karrocë, ti në këmbë. Më çon te parukierja, më thua “bëj thonjtë, bëj flokët”, në behar më thua “bëj edhe thonjtë e këmbës”, unë i kam thënë jo. Ti kujdesesh aq shumë për mua sa unë nuk ta shpërblej dot dhe jetën ma ke bërë më të lumtur e vërtet e mbajte fjalën që më the që “unë do të të nxjerr më shumë tani që je e sëmurë sesa kur ishe me këmbët e tua” dhe vërtet e mbajte fjalën.

Mehmet:Ti e ke hallall shërbimin, jo vetëm kaq por do dhe më shumë shërbim, por nuk mundemi, ma bëj hallall se…

Ana: Jo, ke bërë shumë! Jam shumë e lumtur!

Mehmet:Jam borxhli, pikë, në jetë dhe nuk e pranoj të më biesh ti, por të të bie unë ndër këmbë që ti gjysmë njeriu dhe lëviz dhe ne njëri-tjetrin kemi.

Ana: Je i palodhur dhe unë për këtë të falenderoj shumë!

Mehmet:Të jam mirënjohës deri në pikë të fundit, derisa të më lëvizë dora dhe këmba unë ta kam thënë, edhe të vdes diçka për ty do ta lë, që mos të vuash dhe të falenderoj njëqind milionë herë, nuk e prisja një gjë të tillë, megjithatë faleminderit!

Ana: Sepse ti e meriton vërtet!

Moderatori Ardit Gjebrea sjell në vëmendje rastet e çifteve të reja që shpesh thyhen përpara vështirësive të vogla dhe kjo nxit Mehmetin e përlotur që të japë një mesazh të fuqishëm.

Mehmet:Të mendohen mirë kur të lidhen me familje dhe familja është një gjë shumë e shtrenjtë, është shumë kollaj për t’u ndarë dhe unë them që në çdo vështirësi këta duhet ta përballojnë por femrën duhet ta respektosh jashtë mase. Ai që do, ai që s’do… por unë ia kam thënë dhe ajo ka motra, vëllezër por unë i kam thënë që derisa të jem unë gjallë unë s’të lë, këtë gjë them ta bëjnë të tërë, sa kanë mundësi, jo jashtë mundësive por megjithatë unë edhe në mëngjes kur ngrihem se shkoj ndonjëherë shpejt, e shikoj mer frymë apo s’merr frymë se ne të dy jemi dhe ndonjëherë i bie unë telefonit, ndodh që vonohet them pse më bën merak?

I emocionuar, Mehmeti rithekson betimin e tij për mos ta lënë kurrë të vetme Anën.

Mehmet:Unë në radhë të parë i thërras Zotit që ajo të jetë mirë për veten e saj dhe po ta them kështu me shpirt si vëlla, jo si Ardit, unë ua kam thënë edhe njerëzve të mi, unë sa të kem mundësi do t’ia lë ta ketë për veten e saj, do mundohem me shpirt.

“Shihemi në gjyq” – Djali merr tokat, mashtron gjith familjen

Vajzat dhe babai në konflikt: I dhashë prokurë djalit, më  mashtroi duke shitur tokën!

Në këtë seancë ndërmjetësimi të “Shihemi në Gjyq” përballen dy motra, Mira dhe Veronika me babain e tyre, Pandin. Ky i fundit është vendosur në mesin e publikut të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Familja, e cila vjen nga Fieri ka përfituar në vitin 1991 rreth 20 mijë metër katrorë tokë përmes ligjit 7501.

Sot Mira akuzon babain dhe motrën se ata kanë shitur pjesën e saj. Pandi shpjegon se në vitin  2012 ai i ka dhënë një prokurë djalit të tij, Arjanit për të ndjekur procedurat për lëshimin e certifikatës së pronësisë. Sipas tij, Arjani ka përfituar dhe ka arritur të shesë tokën.

Pandi: Babai ka dërguar letrat, ia ka dhënë djalit.

Eni Çobani: Akoma më keq, po.

Pandi: Se më ka mashtruar, më ka thënë m’i jep mua t’i bëj letrat në emrin tënd, të dalësh ti pronar, të marrësh ti certifikatën e pronësisë dhe ta ndash tokën nëpër të gjithë fëmijët.

Veronika: Ça faji kemi ne tani që dalim në publik o babi?

Mira: Jemi 4 familje po zihemi për atë dreq tokë!

Pandi: Unë i kam besuar, ia kam bërë.

Mira: I besove, ja ku na solli! Po na shkatërron familjet! Sot zihemi me kalamajtë, nesër do zihemi me të tërë njerëzit për ato dreq toka!

Pandi: Sot ka ardhur fundi! Që nga 2012 që unë ia kam dhënë  letrat në 2010 për t’i bërë letrat në emrin tim, ai ka punuar me letrat e mia dhe e ka bërë tokën në emrin e tij!

Veronika: I ka bërë o babi, i ka bërë po kush e paguan taksën e tokës?

Pandi: Arjani pjesë në trungun tim nuk ka fare, por e ka fituar këtë meanë të letrave që i dhashë unë, i ka bërë gjoja që unë ia kam shitur tokën Arjanit, më ka dhënë Arjani 80 milionë lekë!

Pandi shton se nuk ka qenë në dijeni të shitjes së tokës sepse e ka marrë vesh pas 9 vitesh.

Eni Çobani: Paske marrë lek të madh o zoti Pandi! Edhe këtë s’e paskam ditur që paske marrë dhe lekë! O  Veronika po ke marrë lekë bashkë me babain, pranoje tani që ke marrë 80 milionë lekë!

Pandi: S’i kam marrë!

Eni Çobani: I ke marrë apo s’i ke marrë 80 milionë lekë?

Pandi: Jo, jo, as i kam marrë, as e kam pasur ndërmend! Kur e kam marrë vesh që kam shitur tokën unë,  e kam marrë vesh pas 9 vjetësh, e kam zbuluar që djali mua më kishte mashtruar me letrat e mia që ma kishte shitur tokën!

“O do marr unë lekë sot ose… o ju brenda, o unë!”, Mira shpërthen në lot gjatë grindjes me motrën

Një baba është mashtruar nga djali i tij duke sjellë një konflikt të fortë në familje. Mira ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan babain, Pandin dhe motrën, Veronikën duke thënë se ata kanë shitur tokën. Në shpjegimin e tij, Pandi thotë se ai i ka dhënë një prokurë djalit, Arjanit për të nxjerrë certifikatën e pronësisë së tokës së tyre me sipërfaqe thuajse 20 mijë metrash katrorë.

Arjani ka mbledhur të gjithë familjen në zyrën e noteres Flora Zoto në Fier duke u thënë se duhet të firmosin dhe ai do zgjidhë gjithçka. Gjithashtu kishte marrë një prokurë edhe nga vëllai, Mihali dhe rezulton sikur ia ka shitur atij, por në të vërtetë 3 pasuri të familjes, sepse prona ishte ende e pa ndarë, ia ka shitur vetes.

Mira kërkon me ngulm pjesën e saj të tokës, madje gjatë grindjes me të motrën shpërthen në lot.

Mira: Moj Verë, po mirë tani, unë erdha deri këtu…

Veronika: Erdhe deri këtu, e pastaj?

Mira: O do zgjidhim punën e tokës… këtu, këtu me mua!

Veronika: Edhe në qoftë se i ka marrë babai, ti nuk do marrësh kokërr leku! Ik atje!

Mira: Do marr lekë unë moj!

Veronika: Ik atje!

Mira: Jo moj jo nuk iki, këtu me mua! O do marr unë lekë sot ose… o ju brenda, o unë! Nuk pres babanë unë jo, unë dua drejtësi!

Pandi: Do pushoni a po si e keni hallin?

Mira: Unë nuk pres babanë!

Pandi: Ku ka mundësi të jepen 80 milionë lekë midis një rruge, pa një dëshmitar, pa një letër, pa një shkrim, pa një diçka? Jepen si, me nder, më falni të gjithë, si një copë bukë që ia hedh një qeni na merre haje bukën?  Nuk të jep sot njeri 80 lekë, jo të të jap 80 milionë! Ajo thotë i ke marrë në rrugë! Ku ka në rrugë? Kush i jep në rrugë paratë?

Mashtroi babanë dhe motrat për të marrë tokën, djali fajëson sëmundjen për humbjen e kujtesës

Arjani, djali i cili ka futur në konflikt familjen e tij për shkak të shitjes së tokës, pretendon se vuan nga një sëmundje dhe ka probleme me kujtesën. Sipas motrave të tij,  Mirës dhe Veronikës që përballen në “Shihemi në Gjyq” dhe babait të tyre, Pandit gjithashtu të pranishëm në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai ka arritur të marrë firmat e tyre dhe të kalojë mbi veten pasurinë familjare.

Pandi shpjegoi se ai nuk ka marrë para nga djali i tij e aq më pak shumën për të cilën flitet, 80 milionë lekë. Për më tepër, noterja thotë se paratë nuk janë dhënë brenda zyrës dhe as përmes transaksioneve bankare, por në rrugë.

Ardit Gjebrea: Arjani sot ku është?

Veronika: Në Topojë, në Fier.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë thotë?

Veronika: “S’mbaj mend. Kam luhatje kujtese”.

Ardit Gjebrea: Pra Arjan Gjini pretendon që prej disa vitesh vuan nga një sëmundje e rëndë, kanceri e cila ka bërë që të shuhet një pjesë e memories së tij, gjë e cila nuk është vërtetuar nga asnjë mjek ligjor…

Pandi: Nuk është i sëmurë fare!

Eni Çobani: Dhe është dashur që të kishim dokumente për ta faktuar këtë gjë. Pra ky është një pretendim i Arjanit dhe thotë që unë nuk  mbaj mend asnjë veprim, asnjë para, asnjë dokument që të kem dhënë, të kem marrë sepse kam sëmundjen. Tani duke ecur me fjalët që thotë Arjan Gjini patjetër që prokuroria shkon drejt pushimit. Por nëse prokuroria ka dashur të hetojë sipas vendimit të apelit që i ka dhënë zonja Buhali, merret Arjan Gjini, merren të gjithë dokumentacionet ligjore, vihet një mjek ligjor dhe viziton Arjan Gjinin dhe vërteton me raport mjekësor që është e vërtetë që Arjan Gjini nuk paska memorie dhe harron, por këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me memorie, këtu kemi të bëjmë me kalim parash dhe i thonë 80 milionë lekë të vjetra!


“Të Panjohurit” – Marsela Deda

Rubrika “Të Panjohurit” mirëpret sot një tjetër konkurente. Ajo është Marsela Deda, nga qyteti i Lezhës. Ka mbaruar studimet për drejtësi dhe aktualisht punon juriste.

Janë 8 identitete të ndryshme dhe secili identitet mban para në duar. Në mesin e të panjohurve është edhe këngëtarja dhe mike e programit tonë, Kamela Islamaj.

/tvklan.al


Read Entire Article