E Diela Shqiptare -“Ka nje mesazh për ty” – E rrallë, mbajti në shtëpi 32 kosovarë (18 Shkurt 2024)

7 months ago 16
Reklamë
16:03 18/02/2024

#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #kosove#lufte#pavaresi#femije#HajdarKuci#Lindita#Marigona#Njiazi

32 vetë që largoheshin nga tmerri i luftës në një maune, babë e bijë kujtojnë agimin e paqes

17 shkurti shënon një nga festat më të bukura të shqiptarëve, Pavarësinë e Kosovës. E ndërsa në këtë ditë festojmë, shërben edhe si një formë kujtese për historinë, për vuajtjet e luftës, për dhimbjen por edhe për dorën e zgjatur dhe mikpritjen që Kosova gjeti në Shqipëri.

Kjo është arsyeja që ka sjellë Marigonën dhe babain e saj, Njaziun në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ata kanë ardhur pas 25 vitesh për të falenderuar për mikpritjen që kanë gjetur në Marikaj. Rrëfimin për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan e nis Njaziu, i cili kujton se në vitin 1999 një kamion me 32 persona brenda tij udhëtoi për një javë.


Më 4 prill ata mbërritën në Kukës dhe të nesërmen vazhduan drejt Tiranës. Gjatë ndalesës në një karburant, Njaziu pyet dikë edhe sa larg ndodhej Tirana sepse 32 njerëz kërkonin strehim. I huaji, i quajur Mahmut Shibe nuk i la të vazhdonin më tej, por u hapi derën e shtëpisë.

Njazi: Së bashku me të na ka dërguar në pallatin ku jetonte, 2 dhoma. Na ka përgatitur ushqimin e vet, ai e di si e ka përgatitur.

Marigona: Pilaf. Ka qenë pilafi më i shijshëm në jetë që kam ngrënë ndonjëherë.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Marigona: S’e harroj kurrë.

Njazi: Edhe çaj e kafe ashtu sipas mundësive. 

Ardit Gjebrea: 32 vetë në 2 dhoma e një kuzhinë?

Njazi: Ashtu si na ka nxënë nuk e di, është tmerrësisht e paparashikueshme.

Ardit Gjebrea: Dhe keni ngrënë të 32 atë natë dhe gatoi zonja e Mahmutit apo jo?

Njazi: Po, zonja e Mahmutit. E falenderoj shumë.

Ardit Gjebrea: Ku fjetët atë natë?

Njazi: Atë natë gjysma kemi fjetur te Mahmut Shibe, në ato 2 dhoma që kishte.

Ardit Gjebrea: Gjysma tjetër?

Njazi: Gjysma tjetër fjetëm në maune, por ne 7 ditë kemi fjetur vetëm në maune.

Dita e nesërme ishte një agim i ri në jetën e 32 personave.

Marigona: Atë desha të shtoj se unë si fëmijë kujtoj këto momentet e bukura se s’i kam pasur brengat e  prindërve, kam qenë fëmijë… Të nesërmen në mëngjes unë kam fjetur në maune, kam qenë ndër ata njerëz por ishte luks të flije në maune, gjysma e njerëzve nuk ishim, kishim mundësi të shtrinim këmbët e duart. Të nesërmen në mëngjes dëgjoheshin zhurmat e njerëzve dhe kishim fikë ta hapnim se nga trauma e luftës nuk e dinim saktë ku ishim. Kur e kemi hapur, ka një lloj dere, shoh njerëzit që ishin mbledhur me rroba, me ushqime, me pije, me ujë, ishin mbledhur rreth e rreth maunes tonë dhe prisnin që ne ta hapnim atë të na ofronin ushqim, rroba, pije. Aty ka qenë sinjali i parë, ajo shenja e parë e paqes dhe e dashurisë për mua si fëmijë.

Ardit Gjebrea: Ti si e mban mend luftën?

Marigona: Luftën e kujtoj blic, sekuenca-sekuenca por asnjëher nuk tentoj ta mbledh atë pazëll, dua ta largoj. Pastaj prej atij momenti në Marikaj e tutje ka qenë një dnër aventurat më të bukura për mua  si fëmijë kjo pjesa e të qëndruarit në Marikaj.

Vajza kishte mbetur pas në Kosovë, babai rrëfen “ditën më të lumtur të jetës” nga lufta

Në vitin 1999, pasi i ishin larguar luftës në Kosovë të hipur në një kamion me 32 persona, Njazi, familja e tij dhe gjithë të tjerët gjetën strehim në Marikaj. Hajdar Kusi ishte një prej personave që hapi shtëpinë dhe zemrën për të ndihmuar me çfarë kishte mundësi.


Njazi, i cili sot ka ardhur me vajzën, Marigonën në “Ka Një Mesazh Për Ty nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, tregon se si bashkë me Hajdarin kishin nisur të kërkonin edhe të tjerë që kishin nevojë për ndihmë. Gjatë kërkimeve, mësonin se kishin humbur shumë të afërm, por për Njaziun brenga më e madhe ishte vajza që kishte lënë në Suharekë.

Ardit Gjebrea: Ju vetë ishit si familje me bashkëshorten?

Njazi: Me bashkëshorten, me fëmijë, me 4 fëmijë, të pestën e kisha në Kosovë.

Ardit Gjebrea: Oh vërtet?

Njazi: Informatat që merrja, në lagjen e tyre janë bërë ato masakrat më të mëdha të Suharekës, më të tmerrshme.

Marigona: Të familjes Berisha.

Njazi: Të familjes Berisha që kanë qenë, 3-4 familje dhe kam bredhur në Durrës, Tiranë, gjithkah ku thonin që ka njerëz me këtë mbiemër. Deri një muaj para se të kthehesha nuk kam pasur informata për gocën e madhe.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë ndodhi?

Njazi: Një ditë, lajmi më i gëzueshëm në jetën time ka qenë kur punonjësja e postës më tha “urime se kemi informata që goca me familjen e vet që ka qenë e martuar në Suharekë, ajo ka shpëtuar, edhe familja, edhe goca”. Për mua zoti Ardit, ajo ka qenë dita më e lumtur e jetës time.

“Merrnim çdo ditë tortë e pije dhe s’paguanim para”, si i priti Marikaj fëmijët e Kosovës

Periudhën e luftës në Kosovë Marigona e mban mend vetëm në segmente të shkurtra pasi pjesën më të madhe të kujtimeve e kanë zënë kujtimet e bukura të tre muajve në Marikaj. Atje ajo, familja e saj dhe të tjera gjetën paqe e strehim, mbështetje, miqësi dhe ngrohtësi. Marigona kthehet pas në kohë dhe kujton në “Ka Një Mesazh Për Ty” disa episode nga jeta në Marikaj.


Ardit Gjebrea: Marigonë, çfaë kujtoni ju, si e kalonit ju kohën?

Marigona: Unë kujtoj veç gjëra të bukura ose vetëm ato kam në Marikaj. Kujtoj një moment, sa është qesharak, është edhe pak trauma e luftës. Ishim të gjithë fëmijët mes një shkëmbi, luanim bashkë. Ne kosovarët ishim diku nja 15 fëmijë edhe këta fëmijë e Marikajt dhe kishim një kohë që luanim të gjithë bashkë. Në Shqipëri kishte qenë shumë e zakonshme të gjuhej me armë në pikë të ditës, pa arsye, pa festë dhe në pikë të ditës fillon një kallashnikov dhe krejt ne fëmijët kosovarë u shtrimë përtokë dhe ata të tjerët filluan të qeshnin me neve. Aty e pamë që lufta ka përfunduar, është trauma, por kur e ngre kokën lart dhe je i lirë, ajo është ndjenja më e bukur.

Fëmijët ishin regjistruar dhe integruar në shkollë ku ishin mirëpritur e përkrahur. Marigona ishte 7 vjeçe kur u vendosën në Marikaj, por kujton fare mirë se si Hajdar Kusi, njeriu që i kishte strehuar, ishte kujdesur edhe për një gjest të vogël mirësie.

Marigona: Kur niseshim prej shtëpisë së xhaxhi Darit për te shkolla ishte goxha, një copë rrugë dhe gjatë rrugës kishte disa markete të vogla. Xhaxhi Dari kishte porositur që nëse marrin fëmijët kosovarë pije dhe ushqim, mos ua merrni paratë dhe çdo ditë e kemi pasur ashtu. Ka qenë njëfarë torte shumë e vogël dhe një pije që e merrnim çdo ditë në market dhe nuk na i merrnin paratë në respektin që ishim fëmijë kosovarë të atij vendi.

Jetuan për 3 muaj me 32 shqiptarë të Kosovës, lamtumira e vështirë: S’na vinte mirë, qamë të gjithë

25 vite më parë, Njazi dhe familja e tij të gjendur mes 32 personave në një kamion u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Kosovë për shkak të luftës. Ata u vendosën në Marikaj ku për tre muaj krijuan marrëdhënie që do të zgjasnin përjetë.

Marigona i cilësoi ditët e saj në Marikaj si “më të bukurat e jetës” gjatë rrëfimit në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këto kujtime u krijuan në shtëpinë mikpritëse të Hajdarit dhe Linditës, të cilët babë e bijë i kanë ftuar sot në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.


Njazi:  Për atë që keni bërë ju për ne  nuk gjej dot fjalë, dot shprehje. Të gjitha janë shumë të vogla por ne ju falenderojmë jashtë mase të gjithë juve, familjen dhe gjithë njerëzit tuaj që keni faleminderit edhe njëherë shumë nga ana juaj.

Lindita: Faleminderit edhe ju.

Marigona: Ndërsa unë, ajo mistrecja e vogël në kohën e luftës jam akoma e njëjta, dua t’ju falenderoj prej zemrës që nga ju, nga Marikaj, nga Shqipëria kam një aventurë tepër të bukur në jetë të cilën kënaqem kur ua tregoj fëmijëve të mi, të cilët i rris me dashurinë për Shqipërinë, për xhaxhi Darin edhe pse fëmijët akoma s’kanë qenë te xhaxhi Dari. Mezi presim të vijmë në Marikaj në pranverë. Faleminderit shumë që jeni pjesë e jetës tonë, jeni shembull shumë i mirë për ne dhe për të tjerët se si duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrit kur kemi nevoja të tilla. Dhashtë Zoti, mos të kemi asnjëherë nevoja të tilla  por pikërisht në këto ditë feste të Pavarësisë së Kosovës deshëm edhe ne të kujtojmë kohën kur ju ishit pranë nesh. Faleminderit shumë!

As për Hajdarin nuk harrohen ata muaj të 25 viteve të shkuara. Të gjithë u lidhën kaq fort me njëri-tjetrin sa përshëndetja ishte shumë e vështirë.

Hajdar: Ato ditë nuk harrohen, as për ata që janë shumë mirënjohës, por edhe ne kemi bërë atë që ka bërë shumica e shqiptarëve. Faktikisht, datën fiks nuk e mbaj mend në fillim të muajit mars kur kanë ardhur, në mëngjes i kam takuar dhe pranuan, thanë “sot mund të rrimë të gjithë që të lahemi?”, se këta kishin ditë rrugës.

Ardit Gjebrea: Ishin 32 vetë.

Hajdar: Ishin rrugës shumë ditë, kuptohet kishin nevojë për pastrim, për…

Ardit Gjebrea: Dëgjo, më fal që të ndërpres, e di nga kuptohet zemra jote e mirë dhe e bardhë? Se po të ishte dikush tjetër nuk do të harronte 32 vetë. Ky është një detaj i vogël, por që tregon shumë për ty.

Hajdar: Dhe më thanë që “a mund të rrimë sot të gjithë, të lahemi, sa të pastrohemi”. Ju po ndenjët në këto kushte, rrini u thashë, unë ju kam hapur derën, rrini kështu siç jeni. Kështu kaluan ditët. Fillimisht edhe ne ishim pak të ndrojtur sepse kishin shumë fëmijë, Marigona ka qenë e vogël, moshatare me gocën time, ishin të vegjël, në klasë të parë mos  gabohem.

Ardit Gjebrea: 7 vjeç ka qenë.

Hajdar: Shumë fëmijë, ne dy fëmijë dhe na bënin rrëmujë në shtëpi. Shumë fëmijë këta por sinqerisht ua kam thënë edhe pasi jemi takuar se unë shkoj shpesh, kemi ngelur shumë miq. Më shumë bënin zhurmë fëmijët e mi se sa 14 fëmijët e tyre. Kishin një disiplinë shumë të mirë. Dua të falenderoj jo vetëm njerëzit  e mi të familjes, por edhe komshinjtë, kushërinjtë e mi që u ambientuan shumë shpejt, me sa mbaj mend na ftonin edhe nëpër dasma bashkë, pra u bëmë si një familje dhe kur erdhi dita për të ikur unë u bëra pengesë për t’i mbajtur edhe nja dy ditë më shumë. S’po na vinte mirë ne që po iknin, por kur dolën edhe komshinjtë duke i përcjellë në një ambient atje, filluan të qanin të gjithë.

/tvklan.al


Read Entire Article