Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë sot se veprimet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në lidhje me Gazën, nuk dallojnë nga ato të udhëheqësit nazist të Gjermanisë, Adolf Hitler.
Kjo ka bërë që të reagojë ashpër, pothuajse me të njëjtin ton i pari i qeverisë izraelite ndaj liderit turk.
“Erdogan, i cili po kryen gjenocid kundër kurdëve dhe mban rekordin botëror për numrin e gazetarëve të burgosur që kundërshtojnë sundimin e tij, është moralisti i fundit që na nevojitet”, tha udhëheqësi izraelit.
Ai pretendon se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) është ushtria më morale në botë “po lufton për të eliminuar organizatën terroriste më të neveritshme dhe brutale në botë, Hamas-ISIS, e cila ka kryer krime kundër njerëzimit dhe Erdogan po e lavdëron atë dhe po pret zyrtarët e saj të lartë”, tha ai.
BREAKING:
Netanyahu responds to Erdogan’s accusations about “being like Hitler”
“Erdogan, who is committing genocide against the Kurds (…) is the last person who can preach morality to us”
🇮🇱🇹🇷 pic.twitter.com/QTW3d8GDiH
— Visegrád 24 (@visegrad24) December 27, 2023
Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Erdogan e krahason Izraelin me Gjermaninë naziste pasi që lideri turk në qershor të vitit 2014 akuzoi Izraelin se ka “ruajtur shpirtin e Hitlerit” gjatë luftës në Gazë.
Erdogan e ka quajtur më parë Netanyahun “kasapin e Gazës”, duke e akuzuar për veprime që përbëjnë “gjenocid” dhe ka kërkuar që ai të ndiqet penalisht nga një gjykatë ndërkombëtare për krimet e luftës.
Izraeli tërhoqi diplomatët nga Turqia në muajin tetor, pasi udhëheqësi turk akuzoi Izraelin për kryerjen e krimeve të luftës. Turqia më vonë tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli.
Izraeli ishte aleati rajonal i Turqisë për një kohë të gjatë përpara se Erdogan të vinte në pushtet, por lidhjet u përkeqësuan pas një sulmi të vitit 2010 nga komandot izraelite në Mavi Marmara të lidhur me Gazën, ku u vranë dhjetë aktivistë turq. /Telegrafi/