Felaj për deputetët e opozitës: Janë rigrupuar për të mbrojtur Sali Berishën, komisionet i kanë justifikim

11 months ago 11
13:49 09/11/2023

Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj ka folur sot për Klan Neës sa i takon seancës së pazakontë plenare, e cila zgjati vetëm 20 minuta. Në intervistë për gazetarin Besard Jacaj, Felaj u shpreh ashtu si kreu i grupit parlamentar të PS, që opozita nuk diskuton as për nismat e veta ligjore.


“Rendi i sotëm i seancës plenare ishte pak i ndryshëm në raport me seancat e tjera që kemi zhvilluar, sepse pjesa më e madhe e pikave ishin propozime të vetë opozitës. Në mos gaboj, janë 6 propozime të tyre të cilat do duhet të diskutoheshin sot, por ato hoqën karriget e tyre dhe ngritën barrikada dhe askush nga propozuesit nuk e mori mundimin për të shprehur nismat e veta në publik. Realisht ata sot siç janë në të vërtetë, totalisht kontradiktorë.”

Ajo theksoi se janë rreth 10 deputetë që bëjnë veprime të tilla në sallën e Kuvendit pasi mbështesin Berishën.

“Ju e shihni qartësisht se nuk marrin pjesë të gjithë deputetët e opozitës aty. Nuk janë një pjesë e madhe, nuk bëhen më shumë se 10 vetë që rendin për t’u treguar më aktivë dhe natyrisht më të pëlqyeshëm në sytë e Sali Berishës.”

Sa i takon komisioneve hetimore, Felaj tha se duhet pasur parasysh objekti i kërkesës nga çdo grup deputetësh, i cili shton ajo duhet të jetë patjetër në përputhje me Kushtetutën.

“Në Kushtetutë thuhet se është e drejtë e pakicës, dhe rast pas rasti nuk është e thënë që kjo pakicë të identifikohet me opozitën. Është shumë e rëndësishme cili është objekti i këtyre komisioneve që duhet të jetë kushtetues, pra kjo lloj e drejte nuk është absolute. Nuk duhet lexuar apo nuk mund të zbatohet në mënyrë absolute sepse çdo grup deputetësh që kërkon ngritjen e komisioneve hetimore duhet të kujdeset për objektin e kërkesës që ngre. Nëse ka diferenca në qasje në ato që ne kemi ndarë me to, kanë gjithë të drejtën për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetutës dhe për të kuptuar se cila është e drejtë. Nuk i kemi parë ta bëjmë këtë gjë, këto arsye i kanë thjesht për justifikim, janë rigrupuar për të mbrojtur Sali Berishën.”/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article