Besimtarët myslimanë në qytetin e Beratit kanë falur sot Kurban Bajramin. Falja e madhe është kryer në Pedonalen “Republika”, ku besimtarët janë falur për mirësi, shëndet dhe fat për familjet e tyre.
Gazetarja Eneida Petova raporton për Balkanweb se falja e namazit të Kurban Bajramit, e cila është ndjekur nga qindra besimtar beratas, ka filluar në orën 06:30 dhe është kryer nga Myftiu Bilbil Talla.
Ai ka thënë gjatë fjalës së tij se Bajrami është dita e sakrificës dhe sinqeritetit, është një ditë e veçantë ku të gjithë besimtarët duhet të ndihmojnë jetimët e njerëzit në nevojë dhe duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Gjatë faljes së madhe,besimtarët mysliman beratas ju lutën Zotit për më shumë paqe, bekim dhe harmoni.
Myftiu i Myftinisë së Beratit, Bilbil Talla, në përfundim të faljes së Namazit, uroi të gjithë besimtarët për më shumë miresi, paqe e solidaritet. Pas faljes së Namazit, besimtarët mysliman beratas uruan njëri-tjetrin për paqe e begati në familjet e tyre.
Sipas traditës islame, pas kryerjes së riteve të faljes, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit, më pas me drekën tradicionale dhe vizitat tek të afërmit, miqtë dhe shokët. Në këtë ditë besimtarët myslimanë kanë si obligim që kurbanin e prerë në shtëpinë e tyre ta ndajnë në tre pjesë, për vete dhe për ata më të varfërit. Dita e Kurban Bajramit personifikon sakrificën e profetit Ibrahim, besimin ndaj Zotit dhe dashurinë për njeriun.
Festa e Kurban Bajramit është simbol i sakrificës, besimit ndaj Zotit dhe dashurisë për njëri-tjetrin, është obligim fetar për çdo besimtar që t’ia shtrijë dorën e ndihmës të gjithë atyre që kanë nevojë.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb